Në burgjet shqiptare nisi aplikimi i regjimit “41-bis”, i cili parashikon izolimin e rreptë për të paktën 270 të dënuar apo persona nën hetim. Regjimi i huazuar nga sistemi i drejtësisë italiane vjen një ditë pas deklaratës së prokurorit antimafia Federico De Raho, i cili kërkoi bllokimin e lidhjeve me jashtë të krerëve të grupeve kriminale.
Në qelitë e burgjeve shqiptare ka një numër të konsiderueshëm të cilët janë dënuar për vepra të rënda madje dhe raste konkrete ku kanë treguar se mund të drejtojnë grupin edhe pse të izoluar. Shembull është Admir Tafili, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Korçë.
Në vitin 2015 policia zbuloi një nga bashkëpunëtorët e tij në Tiranë, i cili kryente vrasje me pagesë për llogari të tij. Nga burgjet e sigurisë së lartë drejtonte trafikun e lëndëve narkotike dhe Indrit Dokle. I dënuar me burgim të përjetshëm si pjesë e bandës së Durrësit në vitin 2013, Dokle u dënua dhe me 16 vite të tjera për shkak se nga qelia drejtonte narkotrafikun.
Regjimit të rreptë pritet ti kalojnë dhe emra të njohur të botës së krimit siç janë Aldo Bare dhe Zani Caushi. Ndonëse bandat famëkeqe të vitit 1997 u shkatërruan pritet që kontroll kryesisht në takime apo thirrje telefonike të kenë dhe këta të dënuar.
Një ndër veprat penale e cila kalon automatikisht në regjimin bis 41 është dhe vrasja e funksionarëve të lartë shtetërore. Ndaj dhe Jaho Mulosmani pritet t’i nënshtrohet kufizimeve. Dritan Dajtit, Emiljano Shullazi, por edhe Ervis Martinajt do tu lejohet vetëm një takim familjar në muaj, ndërsa bisedat i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video.
Gjithashtu numrit prej 270 të burgosurve do t’u lejohet vetëm një bisedë telefonike në muaj, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta. Atyre do t’u ndalohet përdorimi i parave, do t’u kontrollohet korrespondenca si dhe do reduktohet qëndrimi në ajrim në mjedise të hapura.