Në fundjavë, Dhoma Britanike e Tregtisë tha se mijëra kompani po përgatiten që të shpërngulen jashtë vendit ose për të grumbulluar mallra për të luftuar efektet më të këqija që mund të vijnë nga Brexit. Të mërkurën, Carolyn Fairbairn, kreu i Konfederatës së Industrisë Britanike (CBI), paralajmëroi se bizneset “po përshpejtojnë” planet e tyre për një Brexit pa marrëveshje.
‘Gati një në tre biznese britanike po planifikojnë të zhvendosin disa prej veprimtarive të tyre jashtë vendit ose tashmë i kanë zhvendosur ata për të përballuar një Brexit të vështirë.’- shprehet Fairbairn.
Instituti i Drejtorëve (IoD) paralajmëroi se 29% e firmave në një studim prej 1,200 anëtarësh besonin se Brexit përbënte një rrezik të konsiderueshëm për operacionet e tyre në Britaninë e Madhe. Kompani të mëdha si Sony dhe Panasonic kanë zhvendosur selinë e tyre evropiane nga Britania e Madhe në kontinent, por IOD tha se kompanitë më të vogla gjithashtu kishin miratuar plane zhvendosjeje
“Ndërsa veprimet e kompanive të mëdha kanë bërë tituj, këto shifra sugjerojnë se ndërmarrjet më të vogla po marrin gjithnjë e më shumë hapa seriozë drejt lëvizjes së disa operacioneve jashtë vendit.’’
Sondazhi i drejtuesve të kompanive zbuloi se 11% kishin ekzekutuar planet e zhvendosjes dhe 5% kishin planifikuar të zhvendoseshin në lidhje me Brexit, ndërsa 13% të tjerë “po shqyrtonin aktivisht” një lëvizje nga Mbretëria e Bashkuar.
Kjo situatë ka shkaktuar pasiguri tek udhëheqësit e bizneseve por ndërkohë qeveria po përpiqet të negociojë ndryshimet të cilat do ta mbanin Mbretërinë e Bashkuar brenda bashkësisë doganore evropiane përpara se të arrihej një marrëveshje tregtare.
Burimi: The Guardian/ Përshtati: SCAN