Më 13 shkurt, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta prirtet të vizitoj përsëri komunitetin e arbëreshëve në Italinë e Jugut.
Ai është i ftuar në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të 100 vjetorit të krijimit të Kishës italo-arbëreshe të Eparkisë së Ungrës.
Qyteza e Ungrës apo Lungro në gjuhën italiane, është një komunë arbëreshe në provincën e Kozencas në Kalabri, kryeqyteti fetar i komunitetit të arbëreshëve besimtarë të ritit greko-bizantin e selia zyrtare e Dioqezës së arbëreshëve,
Lajmin për pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë e ka bërë të ditur Peshkopi i kësaj Dioqeze At Donato Olivero.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë do të jetë i shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga 8 përfaqësues diplomatikë të njohur në lidhjet kulturore e historike mes Shqipërisë e arbëreshëve.
100 vjetori i Eparkisë së Ungros është eventi më i rëndësishëm fetar për komunitetin arbëreshë. Eparkia e Ungros është krijuar më 13 shkurt të vitit 1919 nga Papa Benedikti i XV, ruan e mbron gjuhën, zakonet e pasurinë fetare e kulturore të minoritetit arbëreshë në Itali. Bazuar në ritin greko-bizantin ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë shekullore të arbëreshëve të Italisë në kultivimin e gjuhës e ruajtjen e identitetit të tyre, Të gjitha ceremonitë e festat fetare kryhen në gjuhën shqipe e greke e rrallë herë në gjuhën italiane.
Në nëntor të 2018 Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta së bashku me Presidentin italian Sergio Mattarella vizituan komunën arbëreshe të Shën Mitro Korona ku nderuan kujtimin e 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbe.