Banorët e Astirit të cilët prej muajsh protestojnë kundër prishjes së shtëpive të tyre pa asnjë kompensim nga qeveria, ditën e sotme janë takuar me presidentin Ilir Meta.
Ata u shprehen në lidhje me arsyen se përse po takojnë presidentin dhe jo ministren, teksa edhe njëherë cilësojnë projektin si abuziv.
“Asnjëri nga deputetët e PS-së nuk është bërë i gjallë. Dhe ne vendosëm që ti bëjmë një peticion presidentit dhe që po na pret. Ne kërkojmë që të shfuqizohet projekti dhe. Nuk kemi pse ta takojmë ministren e re ajo është vrazhda e këtyre. Këtë duhet ta marrin vesh edhe ambasadat. Le të vijnë të na shikojnë sepse ne nuk jemi budallenj që protestojmë për disa muaj rresht.”- u shpreh një nga banorët.
Banorët tashmë kanë firmosur një peticion të cilin do e dorëzojnë tek presidenti Meta për ngritjen e një grupi hetimor në lidhje me projektin.
Gjatë kësaj dëgjese me qytetarët, Presidenti Meta u informua në detaje, në lidhje me të gjitha shqetësimet dhe problematikat e këtij komuniteti që ende nuk janë zgjidhur nga institucionet përkatëse.
Presidenti Meta theksoi se e ka ndjekur me shumë shqetësim dhe vëmendje maksimale situatën, si dhe ka kërkuar prej kohësh me insistim informacion zyrtar shterues nga të gjitha instancat shtetërore përgjegjëse për këtë çështje.
Presidenti Meta u garantoi banorëve të “Unazës së Re” se së shpejti do të mbajë një qëndrim të qartë zyrtar, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë në përputhje me kornizën kushtetuese e ligjore, si dhe në interesin më të mirë publik e qytetar.