Publikimi i ngjarjes së rëndë me 14 vjeçaren në kavajë ka shtuar frikën e prindërve në këtë qytet. Ata kërkojnë më shumë kontroll e kujdes nga shkolla për lëvizjet e nxënësve. Ndërkaq prindër të shoqeve të klasës së 14-vjeçares thanë se ajo kishte rezultate të larta në mësime. Të afërm të familjes thonë se priondërit dhe vajza nuk janë parë në Kavajë ditët e fundit.
Abuzimi seksual me 14-vjeçaren që studionte në shkollën “Rilindja” në Kavajë ka shkaktuar frikë tek prindërit e nxënësve pas ngjarjes së rëndë në këtë qytet. Publikimi i rastit ka bërë që shumë prindër të shoqërojnë të miturit deri tek porta e shkollës ndërsa banorë të tjerë thonë se ky rast duhet të shërbejë për më shumë kontroll e kujdes si nga prindërit ashtu edhe nga mësuesit.
"Duhet të kenë shumë kujdes për mënyrën si hyjnë dhe dalin nxënësit nëpër shkolla, mënyra e trajtimit dhe futjes në shkollë", tha një qytetar.
Por ngjarja ka shkaktuar irritimin e banorëve disa prej të cilëve kërkojnë një reagim edhe më ekstrem.
"Qeveria të marrë masa, siç ka marrë më përpara diktatori", tha një tjetër qytetar.
"Një ulje e madhe për prindërit e familjes që ndodhet në këtë rast. Kjo familje duhet të largohet nga këtu, aq më tepër për vet faktin që kanë vajzë", tha një prind.
Prindër të fëmijëve që janë në të njëjtën klasë me 14-vjeçaren e abuzuar seksualisht thonë se ajo dallohej si nxënëse me ecuri të mirë në mësime.
"Është një vajzë e mrekullueshme", tha një tjetër prind.
Një i afërm i familjes, thotë se e mitura dhe prindërit e saj nuk janë parë në shtëpinë e tyre në Kavajë ditët e fundit.