Pedagogët e Univeristitetit të Tiranës e shikojnë Ligjin për arsimin e Lartë si strumbullarin e të gjithë asaj që po ndodh me studentët sot. Të ftuar në televizionin SCAN, pedagogia e fakultetit të Shkencave Sociale Marinela Sota dhe pedagogu i fakultetit të Drejtësisë Altin Shegani thanë se Ligji jo vetëm nuk i dha zgjidhje problemeve të vjetra, por nxori në pah edhe problematika të reja siç është ajo e tarifave.
“Ne sot kemi shfaqjen më të dukshme të asaj që ka sjellë Ligji i Arsimit të Lartë. I kemi paralajmëruar pasojat e këtij ligji, Pasojat erdhën në fushën e studentëve por sidomos në të gjithë infrastrukturën e mësimdhënies. Ligji jo vetëm që nuk ka zgjidhur shqetësimet që ekzistonin, por edhe ka nxjerrë në pah edhe probleme të tjera. Është e qartë që tarifat i ka rritur Ligji për arsimin e lartë. Aktet nënligjore janë kontestuar nga një mazhorancë absolute nga të gjitha strukturat e universitetit të Tiranës” tha Altin Shegani.
“Universiteti i Tiranës ka 4 anëtarë në bord dhe tre i ka qeveria. Ndërsa në të gjitha Universitetet qeveria ka shumicën. Ata mund të vendosin tarifa të larta. Tarifat kanë qenë aq të pamenduara sa Rama menjëherë tha se mund ti ulë përgjysmë. Ka patur mosfunksionim të të gjitha niveleve” u shpreh pedagogia e Fakultetit të Shkencave Sociale Marinela Sota.