Përkundër rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekspertëve të ekonomisë dhe grupeve të interesit, qeveria uli pragun e TVSH-së në xhiron 2 milionë lekë vitin e kaluar, që u bë efektin nga 1 prilli.
Kjo masë më shumë se sa për rritjen e barrës fiskalë në bizneset e vogla u arsyetua me faktin e formalizmit të TVSH në biznesin e madh. Por tashmë kur viti 2018 ka mbyllur llogaritë arkëtimet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në raport me PBB-në, jo vetëm që nuk është përmirësuar, madje të ardhurat nga ky zë janë në nivelin më të ulët që nga viti 2013.
Arkëtimet nga TVSH ishin vetëm 8.7 për qind e PBB-së më 2018 nga 9% që ishin më 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave. Madje duke përjashtuar vitin zgjedhor 2013 arkëtimet nga TVSH-ja në raport me PBB janë në nivelin më të ulët që nga viti 2006.
Sipas ecurisë së arkëtimeve nga TVSH-ja në tre dekadat e tranzicionit vihet re se rekordi i rezultateve në ka qenë në vitin 2008 ku të ardhura shënuan 9.9% te PBB-ne.
Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga TVSH e brendshme në 2018-n ishin 36.3 miliardë lekë, me një rritje prej 4% me bazë vjetore (duke pasur parasysh rritjen ekonomike prej rreth 4% dhe inflacionin prej rreth 2%, rritja reale ishte negative). Performanca më negative ishte në dhjetor, kur të ardhurat nga TVSH e brendshme rezultuan me një rënie prej 24% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një mosrealizim rekord plani prej 36% më pak në raport me planifikimin. Performanca më e mirë u shënua ne gusht, kur të ardhurat nga TVSh e brendshme u rritën me 50%, pas një aksioni të tatimeve për të luftuar informalitetin në bregdet.
Në raportin e zgjeruar për Shqipërinë të publikuar ditët e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar lëshoi kritika të ashpra në drejtim të politikës fiskale.
Për të ilustruar shthurjen e politikes fiskale Fondi merr në analizë uljen e pragut të TVSH-së. Ulja e pragut të TVSH-së në vitin 2018 rriti numrin e tatimpaguesve me rreth 30 për qind, mirëpo ky numër tatimpaguesish veç sa rriti barrën mbi administratën tatimore dhe bizneset e vogla, ndërsa përfitimet në të ardhura ishin të vogla, referoi FMN në analizën për Shqipërinë.
Fondi lajmëron se në mënyrë të ngjashme, futja e pragjeve tatimore të shumëfishta për Tatimin mbi Fitimin mund fragmentojë sistemin dhe të çojë në ndarjen e bizneseve.
Stafi i FMN-së u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të pezullojnë përjashtimet të mëtejshme nga taksat, teksa duhen të merren në konsiderate pezullimi i përjashtimeve fiskale të dhëna më parë. Sipas tyre ndryshimi i politikave fiskale duhet të marrë në konsideratë rëndësinë e stabilitetit makroekonomik dhe klimën e klima e investimeve.
Para se të ndryshojnë një ligj fiskal autoritet duhet të bëjnë analiza të thelluara për të vlerësuar ndikimin e tyre në të ardhura. Për më tepër, autoritetet janë këshilluar të marrin në konsideratë përgatitjen e një strategjie gjithëpërfshirëse të të ardhurave afatmesme, sugjeron ekspertiza e FMN-së.