Tregu bankar – Shkalla e përqendrimit është e ulët

Hënë, 11 February 2019 18:32

Përqendrimi i sistemit bankar shqiptar ngelet në nivele të ulëta. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, treguesi kryesor që përdoret për këtë qëllim, indeksi Herfindahl-Hirschman (HHI), në fund të vitit 2018 ishte 1600, i matur sipas pjesës së aktiveve që zë secila bankë në treg.

Ky indeks përllogaritet duke ngritur në katror pjesën e tregut të secilës ndërmarrje dhe duke i mbledhur rezultatet së bashku. Në teori, indeksi HHI mund të lëvizë në një shkallë nga një deri në 10 mijë, ku sa më e lartë vlera, aq më i përqendruar është tregu.

Përgjithësisht, pranohet se kufiri përtej të cilit kemi të bëjmë me përqendrim të lartë dhe konkurrencë të kufizuar është 2500. Tregu bankar nuk ka regjistruar një nivel të tillë përqendrimi që prej vitit 2005. Më pas, ky tregues ka rënë dukshëm.

Në dekadën e fundit, indeksi HHI për sistemin bankar shqiptar ka qenë përgjithësisht i qëndrueshëm, në intervalin mes 1400 dhe 1600.

Megjithëse niveli i përqendrimit mund të ndryshojë për produkte apo nëntregje të veçanta, në vija të përgjithshme, tregu bankar në Shqipëri duket se ka shkallë të moderuar përqendrimi dhe nuk hyn ndër tregjet ku konkurrenca është e kufizuar.

Nëse bëjmë një krahasim afatgjatë të peshë së tregut për bankat më të mëdha, nuk duket të ketë zhvillime që tregojnë ndonjë rritje drastike të peshës së tyre.

Për shembull, pjesa e tregut të dy bankave më të mëdha është 44.9%, ndërsa pesë vjet më parë ka qenë 45.5%. E matur ndaj totalit të depozitave, pesha e dy bankave më të mëdha ka rënë në më pak se 35.7%, ndërkohë që pesë vjet më parë ishte rreth 37%.

Nëse marrim në analizë tre bankat më të mëdha, totali i aktiveve të tyre zë 58.4%, nga 56.6% që zinte një vit më parë. Ndërsa pjesa e tyre e tregut në depozita është rritur në 47.2%, nga 46.3% që ishte pesë vjet më parë.

Këto shifra tregojnë se, deri tani, nuk vërehen shenja të ndonjë përqendrimi drastik të tregut bankar krahasuar me periudhat e mëparshme.

Rritja e lehtë e përqendrimit mund të shpjegohet kryesisht me faktin se gjatë viteve të krizës vetëm një pjesë e bankave u treguan të gatshme të merrnin përsipër rrezik dhe të rriteshin. Përkundrazi, një pjesë e madhe e tyre, sidomos bankat që iu takojnë grupeve të Eurozonës, mbajtën një qëndrim më pasiv, duke e kufizuar disi ofertën në treg.

Login to post comments