Përdorimi i rezervave të arit te Italisë për të frenuar deficitin buxhetor mund të jetë një ide interesante. Deklarata ka ardhur nga zëvendëskryeministrit italian, Matteo Salvini, të hënën pas deklaratave të mediave se qeveria po konsideronte një veprim të tillë.
Më herët, gazeta ‘La Stampa’ tha se qeveria po shqyrtonte përdorimin e një pjese të rezervave të arit të vendit, të cilat mbahen nga Banka e Italisë për të frenuar defcitin buxhetor të këtij viti dhe për të shmangur një rritje të planifikuar të TVSH-së në 2020.
“Nuk është një çështje që po e ndjek, por kjo mund të jetë një ide interesante”, tha Salvini për gazetarët në Romë i pyetur për mundësinë e përdorimit të rezervave të arit.
Përpjekjet e mëparshme nga qeveritë italiane për të shitur një pjesë të rezervave të arit për të ndihmuar në balancimin e llogarive publike u ndaluan nga autoritetet europiane, duke argumentuar se ata mund të dëmtonin pavarësinë e Bankës së Italisë.
Ideja për përdorimin e rezervave të arit të administruara nga banka qendrore vjen pasi udhëheqësit e koalicionit qeverisës dhe Lëvizja 5 Yjet premtuan në fundjavë se do të zëvendësonin zyrtarët e lartë të Bankës së Italisë, pasi sipas tyre ‘ata duhet të paguajnë për dështimin e bankave.’
Italia është mbajtësi i tretë më i madh në botë i rezervave të arit, pas Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, me 2 451.8 ton që nga viti i kaluar.