Imzot Donato Oliverio, duke folur gjatë vizitës së Presidenti të Republikës, Ilir Meta në Eparkinë arbëreshe të Lungros (Ungrës) në Itali, e ka vlerësuar kreun e shtetit shqiptar si “një burrë shqiptar i vërtetë, që e mban fjalën dhe besën”.
Imzot Oliviero, i cili iu referua premtimit të bërë nga Presidenti Meta 3 muaj më parë gjatë vizitës së tij të fundit në Kalabri se do të ishte i pranishëm në 100-vjetorin e themelimit të Eparkisë së Lungros (Ungrës), theksoi se: “Presidenti i Shqipërisë na nderoi se e mbajti fjalën dhe ne sot themi Lavdi Zotit në këtë 100 vjetor”.
Gjithashtu, Imzot Oliviero në fjalën e tij të shkurtër bëri edhe një historik të kësaj Eparkie dhe punën e shkëlqyer që ka bërë për komunitetin.
“Gjithë ata burra që nuk u kthyen më nga Lufta e Parë Botërore, imagjinoni varfërinë, vuajtjet e bashkësisë sonë. Imzot Mele, Ipeshkvi i parë i Eparkisë së Lungros, të cilin e shikojmë në atë portret, filloi një punë të madhe i ndihmuar nga providenca e shenjtë. Veprimi i tij i parë ishte të krijonte një ndërgjegje, një bashkësi dioqeziane, e cila nuk ekzistonte më parë. Por në saje të një lodhje e stërmundimi të madh ia doli mbanë. Prandaj edhe ne sot mundemi të festojmë 100-vjetorin e themelimit. Pas tij mbërriti Imzot Stamati, një ipeshkv i madh, pastaj i dyti të cilin me siguri Zoti President e ka njohur”, – tha Imzot Oliverio, duke shprehur edhe një falënderim për veçantë për Papa Benediktin dhe kontributin e tij të vyer.
“Jemi këtu jo vetëm për të festuar 100-vjetorin, por edhe për t’i thurur një himn falënderimi edhe Zotit, për dhuratën që na ka bërë nëpërmjet Papës Benediktit XV, i cili më 13 shkurt 1919, u dha italo-shqiptarëve të Kalabrisë, të Italisë kontinentale një dioqezë, një Eparki, një autonimi ekleziaste, me një ipeshkv të urdhëruar, jo urdhërues, si këtë ipeshkvë që kemi përreth me protretet e tyre të varura nëpër mure. Ata ishin ipeshkëve urdhërues pa juridiksion, vetëm brendapërbrenda këshëllit. Më 13 shkurt kemi një ipeshkv të urdhëruar, me juridiksion dhe të cilit i jepen në varësi famullitë. Dhe sot më 13 shkurt 2019 kemi arritur në 25 famulli në Kalabri, 2 në Bazilikatë, dy në Pulje, Leçe dhe Bari dhe famullia e fundit në Peskarë, në rajonin e Abrucos, që quhet Vila Albanese. Për këto sot themi lavdi Zotit!”, – u shpreh ndër të tjera Imzot Donato Oliverio.