A luajmë shpiash?

E Enjte, 14 February 2019 10:31

Nga Elona Caslli

“ A luajmë shpiash ? “ është një pyetje që ka shoqëruar secilin prej nesh në fëmijërinë e tij. Ndonëse, të them të drejtën, në ditët e sotme e dëgjoj shumë rrallë të shkëmbehet si fjali mes fëmijëve. Përpiqem të jem e vëmendshme, kur në ato pak raste, shoh fëmijë që luajnë poshtë një pallati, në ato pak sheshe që kanë mbetur, por megjithë vëmendjen time nuk arrij ta dëgjoj pyetjen “ A luajmë shpiash”?
“ A luajmë shpiash ?” ishte një pyetje stinore. Nuk mund ta bëje këtë pyetje në çdo stinë. Bëhej vetëm në verë, ose më saktë gjatë pushimeve verore pasi shkolla të kish mbaruar.
Ishte një lojë që na zbaviste, pasi na bënte të ndiheshim më të mëdhenj. Asokohe, besonim se të rriturit zinin një vend më të rëndësishëm në botë. Dhe kur luanim, fitonim një lloj identiteti të cilin na e falte vetëm kjo lojë.
Me gjysmë tullat apo me gurët që gjenim rreth pallatit, ndërtonim një lloj rrethi të ngurtë i cili simbolizonte hapësirën e shtëpisë sonë.
Rolet ndaheshin krejt rastësisht. Djemtë luanin rolin e baballarëve dhe të vëllezërve dhe vajzat luanin rolin e mamave ose të motrave.
Nuk kishim asnjë skenar dhe as nuk e mendonim se çfarë do të thonim, apo çfarë do të bënim. Në lojë e sipër përcillnim atë çka secili prej nesh kish dëgjuar në shtëpinë përkatëse dhe krijoheshin dialogjet mes personazheve. Për shembull, nëse vajza që luante rolin e nënës thoshte gjatë lojës: “ Duhet të blejmë sheqer”- atëherë e kuptoje menjëherë që në shtëpinë e saj kish mbaruar sheqeri.
Dhe kur ajo i drejtohej djalit që luante rolin e babait me fjalët; “ Shko të blesh sheqer se më duhet për ëmbëlsirën, se kemi njerëz sot” – e kuptoje menjëherë që një natë më parë në shtëpinë e saj kishin ardhur njerëz dhe mamaja e saj i kish qerasur me ëmbëlsirë.
Ndodhte që loja ndërpritej për një çast , sepse një personazh, si për shembull: Djali që luante rolin e Babait thirrej nga Prindërit e vërtetë.
Atëherë menjëherë, që loja të vazhdonte, sytë hidheshin rreth e rrotull në kërkim të një fëmije tjetër, që zakonisht ishte një fëmijë më i vogël se ne dhe luante me një top që e përplaste herë pas here me murin.
I kërkonim atij të bëhej Babai. Në fillim, ai turbullohej se gjendej mes një loje që nuk e njihte dhe nuk dinte çfarë të thoshte, por ne i vinim në ndihmë duke ia diktuar fjalët.
Ndodhte që brenda kësaj loje , ai që luante rolin e fëmijës të ishte më i madh në moshë se ai që luante rolin e prindit, që dialogjet mos të kishin një rrjedhë logjike .
Nëse një personazhi, para një çasti i ishte kërkuar të blinte sheqer, në çastin tjetër mund t’i kërkohej të rregullonte bravën e derës pasi nuk funksiononte . Kjo ndodhte sepse çdo personazh luante pjesën e shtëpisë së vërtetë ku jetonte.
Me këtë larmi situatash dhe personazhesh ne kalonim pasditet tona, derisa të na thërrisnin nga ballkoni për të na thënë të ngjiteshim lart se ishte errur.
Kishte raste që shtëpinë tonë të ngurtë e gjenim siç e kishim lënë, por kishte edhe raste që na duhej ta ringrinim.
Ky kujtim fëminor, më vjen ndërmend shpesh herë, kur përballem me institucione të ndryshme në këtë vend dhe me filozofinë që këto institucione ndjekin në themelimin dhe ecurinë e tyre.
Ashtu si në lojën e fëmijëve, nuk ka asnjë argument logjik që përligj një dialog, një nismë dhe së fundmi një vendim. Gjithçka mund të zhbëhet dhe të ribëhet përsëri. Gjithkush mund të zëvendësojë gjithkënd. Asgjë nuk ndalohet dhe gjithçka lejohet. Loja duhet të vazhdojë. Personazhet mund të këmbejnë rolet brenda të njëjtës pjesë dhe askush nuk do të bëjë zë, pasi Institucionet janë pa Kujtesë.
Nuk ka kurrfarë rëndësie përmbajtja e individit që luan rolin. Askush nuk merret me përmbajtjen e tij. Është një shtojcë e tepërt që nuk i hyn në punë kurrkujt.
Të vlerësosh përmbajtjen do të thotë të kesh Kujtesë dhe Kujtesa do ta pezullonte lojën, pasi jo kushdo do të mund të zëvendësohej nga cilido.
Bashkë me Kujtesën do të lindnin edhe kriteret. Bashkë me Kriteret do të lindte edhe Përgjegjësia për t’i përmbushur këto kritere e bashkë me përmbushjen e kritereve do të lindnin pashmangshmërisht të “ Përjashtuarit” nga loja.
Rregulli numër 1- Personazhet këmbehen nuk përjashtohen.
Dhe për sa kohë do të kemi vetëm Personazhe të Këmbyer dhe jo të Përjashtuar, do të na rivijë ndërmend shpesh herë kjo pyetje: “ A luajmë shpiash ? ” kur të përballemi me një bashkësi institucionesh në këtë vend, por me një dallim themelor; Në rastin e fëmijëve kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri të pastër dhe të mirë; Në rastin e të rriturve kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri të vetëdijshme dhe të mbrapshtë.
Loja vazhdon …..

Login to post comments