Mbi një ton kanabis që u sekuestrua nga policia kufitare e Kapshticës të mërkurën në dy kamionë të nisur nga Tirana dhe që po shkonin në Greqi nuk ka pasur destinacion vendin fqinj. Ajo sasi e madhe ishte destinuar për në Turqi, ku nuk do të shitej, por do të shkëmbehej me drogëra të forta.
Ky është dyshimi më i madh që kanë ngritur hetuesit shqiptarë, të cilët janë duke analizuar të gjitha fijet e kësaj çështjeje.
Kamioni me targë AA 874 UZ , ku u zbulua sasia më e madhe e lëndës narkotike, rezultoi se e përmbante vërtet të fshehur në thasë, sipas informacioneve që Policia kishte marrë në rrugë sekrete. Po sipas atyre burimeve, edhe destinacioni nuk ishte Greqia, por më larg, Turqia; ky operacion i paligjshëm i trafikantëve ishte përllogaritur të sillte fitime kolosale. Asnjë nga shoferët, Zija Hidri dhe Ardian Sako, nuk konsiderohen si kokat e këtij trafiku.
Njoftimi paraprak i Policisë:
Policia Kufitare në bashkëpunim me Autoritetet Doganore, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, godasin një tentativë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të detajuar në vijë të dytë duke përdorur qen antidrogë dhe më pas edhe gjatë skanimit, Policia Kufitare dhe Dogana kanë konstatuar në dy kamione lëndë narkotike.
Po vijon kontrolli i imtësishëm i dy mjeteve.
Për arsye hetimore, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.