Posta Shqiptare dhe Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), ditën e mërkurë, datë 20 Shkurt, ora 12:00, do të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit për ofrimin e të gjitha shërbimeve të Postës Shqiptare, pranë zyrave rajonale/vendore të ADISA.
Marrëveshja e bashkëpunimit do të nënshkruhet nga Administratori i Postës Shqiptare, z. Laert Duraj dhe Drejtori Ekzekutiv i ADISA, z. Lorin Ymeri, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare.
Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) është agjencia e cila është përgjegjëse për administrimin e sporteleve të administratës shtetërore dhe ofrimit të shërbimeve publike sipas parimit të ndarjes së zyrave pritëse nga zyrat përgjegjëse për shërbimin. Ofrimi i shërbimeve nga Posta Shqiptare pranë zyrave rajonale të ADISA-s do të krijojë lehtësira të natyrës ekonomike dhe kohore për qytetarët, të cilët aplikojnë për marrjen e shërbimeve.