Te protesta e universiteteve pashë rënien e tyre

Hënë, 18 February 2019 17:45

Nga Besnik Gjongecaj


Protesta e universitarëve u duk se e zbukuroi fillimin e këtij viti. Acari i janarit u ndje më pak therës, ashtu sikundër një shpresë e qelqtë filloi t’i kthejë pak diell bisedave të njerëzve të zakonshëm. Krahasimet nuk munguan. Ai që doli mbi të tjerët ishte krahasimi me lëvizjen e dhjetorit ’90. Në fakt, më shumë se një krahasim ishte mall, një dëshirë e paanë për t’u dukur si në dhjetorin e vitit 1990. Ashtu mbeti, një dëshirë, fatkeqësisht. Studentët zgjodhën vërtet Tiranën për të protestuar, si atëherë, por jo realitetin shqiptar, pjesën kockore të tij. Gjithçka ndodhi shpejt e shpejt, si në skenën e një teatri, i cili pret për t’u prishur. Në një sfond objektesh prej kartoni që presin të zhvendosen pas shfaqjes dhe të ribëhen nga e para për një shfaqje tjetër. Nga aktorë që pakuptuar hynë midis studentëve të vërtetë, duke denatyruar protestën dhe futur atë brenda mureve të një teatri, si brenda një gote. Ajo që nuk ishte konstatuar asnjëherë më parë, në asnjë protestë, ishte një re e errët cinizmi që po i merrte frymën dhe po e zhbënte me shpejtësi atë. Një cinizëm që bëhej edhe më sundues nga një ditë te tjetra. I pari, kryeministri i vendit, tha që studentët kanë të drejtë, megjithëse me siguri e dinte, se ai vetë ishte shkaku më i thellë pse studentët protestojnë. Nëse pohimi se “studentët kanë të drejtë” shoqërohej me dorëheqjen e tij, atëherë do të kishim të bënim me lidership. Kjo jo vetëm nuk ndodhi, por kryeministri avancoi dhe iu tha studentëve se do të vihej në krye për të zgjidhur problemet e tyre. Të zgjidhte problemet që i kishte shkaktuar vetë ai!? Retë e një cinizmi unik, të pakrahasueshëm, u mblodhën tashmë mbi protestë. Kryeministri u pasua nga të tjerë, shumë të tjerë. Nuk mbeti njeri që mbante përgjegjësi për problemet universitare, të mos fillonte prononcimin e tij me “studentët kanë të drejtë”. Ata që kishin manipuluar Ligjin, politikanët e të gjitha anëve, racave; ekspertët ose këta kodoshë të kohëve moderne; ata që kishin kafshuar interesat e arsimit publik, interesat e universiteteve; ata që iu fusin studentëve dorën në xhep, trafikantët e kërkimit shkencor, maniakët e seksit; të paaftët, sigurisht. Grykësia e kësaj amalgame të pështirë, për herë të parë në krejt ekzistencën e saj, nuk fuste gjë brenda vetes, nuk thithte përmes atij fyti të pështirë, përkundrazi, nxirrte e nxirrte pa pushim togfjalëshin “studentët kanë të drejtë”. Dhe po të mos ishte ajo duhmë e ndotur që shoqëron çdo gjë që del prej fytit të këtij përbindëshi, do të mendonim se më në fund shoqëria shqiptare po gjente paqe. Kështu mbeti deri në fund, derisa u tërhoqën edhe studentët e fundit: Një protestë me shumë keqkuptime, një gjë si pa formë, midis iluzionit dhe realitetit. Prandaj, askush, edhe sot e kësaj dite, nuk di të thotë nëse protesta e universitarëve u bë për të ndihmuar Shqipërinë apo për t’i treguar asaj se në ç’gropë i ka universitetet, nëse do t’i duhen një ditë.
* * *
Duke u larguar përbuzshëm nga mbretëria e cinizmit, nga ajo re masive që rëndoi tragjikisht mbi protestën e universitarëve, mund t’i kthehem problemeve reale që vetë protesta i nxori nga nervi i saj. Studentët e filluan protestën në mënyrën më të keqe të mundshme. Duke shpërfillur çdo konspiracion, jam i prirur të mendoj që vendosja e fokusit të problemeve vetëm te universiteti dhe jo jashtë tij, tregoi që studentët e parë të protestës dhanë mesazhin e hidhur, se ata dinin shumë pak rreth universitetit ku diplomohen dhe aq më shumë, nuk kuptonin asgjë mbi sistemin e arsimit të lartë në këtë vend. Edhe kur studentët që iu bashkuan protestës identifikuan Ligjin si problem, madje më vonë edhe si problemin më kryesor, e bënë këtë pa pasur as njohuritë më elementare mbi të. Përkushtimi aq i madh për diçka që nuk e njihnin, por që iu ishte thënë, se është shkak i mjerimit universitar, ishte unik në historinë e protestave. Nuk i kisha parë asnjëherë aq afër tragjiken dhe komiken. Studentët, por edhe pedagogët e tyre, me botëkuptim të boshatisur, me një mungesë ulëritëse njohurish mbi Ligjin dhe universitetin si institucion, dolën mjerueshëm, lakuriq, para opinionit publik. Pse, pse universitarët, ekzaktësisht ata që projektohen për t’i ndihmuar të tjerët të kuptojnë botën nuk njohin vetveten, universitetin, pra shtëpinë e tyre?! Pse, pse ata që janë projektuar të çrrënjosin prapambetjen e vendit janë zhytur vetë në një prapambetje të paanë?!
* * *
Sado i largët të duket në pamje të parë, shkak i prapambetjes, në një sfond politik, është modeli i financimit të universiteteve. Sipas modelit ekzistues të financimit, universiteteve nuk iu sigurohet para publike e mjaftueshme për të plotësuar misionin e tyre. Që të plotësojnë këtë mision, të paktën vetëm në dimensionin mësimor, universitetet duhet të gjejnë para të tjera veç atyre që sigurojnë nga buxheti, dhe që ta bëjnë këtë, iu duhet jo vetëm të rrisin tarifat, por edhe të diplomojnë studentët në një kohë sa më të shkurtër dhe, kjo është akoma më e zezë, ta konsiderojnë diplomimin e tyre një akt të sigurt. Në sfondin e një integriteti dhe morali të dyshimtë, e gjitha kjo jo vetëm i ka vendosur studentët dhe pedagogët nën një presion të jashtëzakonshëm, por ka ulur cilësinë e diplomimit dramatikisht. Kapitali i vetëm me të cilin universitetet bëjnë biznes është kapitali njerëzor. Nëse do t’i referohemi përkufizimit të kapitalit në përgjithësi (money which begets money – paraja që pjell paranë), atëherë universiteti shqiptar ka kohë që rikrijon kapitalin e tij njerëzor me një cilësi gjithmonë e më të ulët. Kjo shpjegon jo vetëm prapambetjen e pazakontë të Shqipërisë, që mbetet në tranzicion, por edhe mungesat alarmante në formimin e studentëve, madje edhe të pedagogëve të tyre, të cilët morën pjesë në protestë. Përveç uljes së tarifave apo përmirësimit të kushteve fizike, vështirë se dikush kuptoi ndonjë kërkesë tjetër të universitarëve, të kësaj proteste. Ishte një memecëri që vinte andej nga nuk pritej, nga punëtorët e dijes.
* * *
Është jashtë çdo dyshimi që, përsëri në një kontekst politik (policy), zgjedhjet universitare, nga një instrument balance, qëndrueshmërie – për shkak të përfaqësimit demokratik, janë shndërruar në formën më të sigurt të degradimit të universiteteve. E gjitha kjo ndodh kur ato kryhen në kushtet e një integriteti universitar “të krisur”, ende të paformuar mirë, çka karakterizon edhe gjendjen në universitetet e këtij vendi. Në këtë rast, zgjedhjet universitare bëjnë më shumë keq se mirë (More harm than good). Më shumë se asgjë tjetër, këtë situatë e evidencoi protesta e universitarëve. Pothuajse në të gjitha daljet publike, njerëzit që artikulonin më dobët shkaqet e protestës ishin autoritetet e universiteteve. Me një kapacitet njohës thellësisht të gjymtuar, askush prej tyre, madje as nuk iu afrua substancës së krizës universitarëve. Të mbetur në periferi, dukshëm pa interesa në botën e dijes, ata mërmërisnin para publikut ca gjëra si fonde, xhama, administratorë… Askush nuk i mori vesh çfarë thanë, as në protestë, as para saj dhe me siguri që askush nuk do t’i marrë vesh se çdo të thonë edhe në të ardhmen, nëse kanë një të tillë. E gjitha kjo tregon qartësisht se shumica e autoriteteve universitare ekzistues nuk përfaqësojnë realisht universitarët, nuk janë një “profil moral, shkencor, njerëzor, te të cilët secili prej universitarëve sheh aspiratën apo si do të donte të ishte në të ardhmen e tij – standard evropian”. E gjitha kjo ndodh, thjesht, për shkak të zgjedhjeve universitare, të cilat kur aplikohen në kushtet e një integriteti të dyshimtë universitar, deformojnë rezultatin e tyre. E kush është ai universitar që nuk e di se zgjedhja e një autoriteti universitar nuk bëhet sipas kritereve thjesht universitare, pra sipas kritereve që lidhen me zhvillimin e vetë universitetit, por sipas mundësisë së sigurimit të favoreve strikt personale? Ja pra pse, në shumicën e rasteve, zgjedhjet universitare nuk nxjerrin më njerëzit e zotë në krye të universiteteve, përkundrazi, nxjerrin të paaftët. Dhe pastaj, këta të fundit replikojnë vetveten, dramatikisht.
* * *
Në një plan politik (policy) përsëri, një nga shkaqet më të thella që shpjegon prapambetjen e universitarëve është dominimi politik i universiteteve, ose ajo që quhet mungesa e një autonomie reale në universitete. Në këtë pikëpamje, Ligji i sotëm i universiteteve është një nga shembujt më brutalë, prandaj edhe më të dhimbshëm, se si politika arrin deri në pikën ku krijon pushtet për vete duke rrënuar universitetet. Nëpërmjet këtij Ligji politika bëri copë e thërrime të gjitha parimet, standardet, mbi të cilat do të duhet të ndërtohen universitetet dhe sistemi i arsimit të lartë i këtij vendi. Deformimet strukturore në sistemin e arsimit të lartë (agjencitë qeveritare si zgjatime të drejtorive të MAS), deformimet strukturore në nivelin e universitetit (qeveria menaxhon paranë brenda universitetit dhe kontrollon vetveten se si e ka bërë atë) kanë çuar në humbjen e lidhjeve midis veprimit akademik dhe atij administrativ, madje kanë çuar në një dualizëm monstruoz në përfaqësimin e çdo universiteti. E gjitha kjo është shndërruar në një pengesë të madhe të iniciativës universitare, në një korrupsion jashtë kontrolli, dhe mbi të gjitha, në rënin e cilësisë së mësimit dhe kërkimit shkencor në universitete, gjë që prodhon prapambetje çdo ditë.
* * *
Megjithëse u organizua për të demonstruar forcë, protesta e universitarëve bëri të kundërtën. Ajo demonstroi se sa pak fuqi demokratike iu ka mbetur universiteteve të sotme. Këtu nuk mbaron, përkundrazi, këtu fillon edhe problemi. Universitetet, fatkeqësisht, tashmë gjenden nën nivelin demokratik të vetë shoqërisë shqiptare. Prandaj, ata nuk mund të jenë më as në udhëheqje të saj, por nuk mund të shërbejnë më as si instrument për të nxjerrë shoqërinë nga prapambetja. Ky është një rast fatal në demokracinë e një vendi. Është një apel gjithashtu. Shoqëria shqiptare duhet të përgatitet për të ndryshuar vetveten edhe nëse universitetet nuk i përgjigjen asaj. Telegraf

Modifikuar më Hënë, 18 February 2019 18:44
Login to post comments