Në vitin 2017, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.037 miliardë lekë shitje neto, duke rezultuar me 8,3% rritje, krahasuar me vitin 2016.
Investimet e realizuara arritën vlerën 231 miliardë lekë nga 221 miliardë lekë në 2016, duke shënuar rritje prej 4,7%. Në këtë periudhë, numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 4,9%. Në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve operojnë 107.677 ndërmarrje aktive, duke shënuar një ulje me 0,8 %, krahasuar me vitin 2016.
Bazuar në të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve kontributin më të madh në rritjen prej 8,3% të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me +5,4 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me +2,9 pikë përqindje. Gjatë vitit 2017, sektori i tregtisë zuri peshën më të madhe të shitjeve neto me 46,4%, i ndjekur nga sektori i ndërtimit dhe sektori i industrisë përpunuese me përkatësisht 11,9%. Sektorët me peshën më të vogël janë sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,5%) dhe sektori i industrisë nxjerrëse (3,6%).
Për treguesin e punësimit, prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me +2,9 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me +2,0 pikë përqindje. Sektori me përqindjen më të lartë të punësimit për vitin 2017 është sektori i tregtisë me 24,6% të punësimit, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike etj.) me 21,4% dhe nga sektori i industrisë përpunuese me 20,3% të të punësuarve gjithsej.
Gjatë vitit 2017, investimet u rritën me 4,7%, ku prodhuesit e të mirave kontribuuan me +0,7 pikë përqindje dhe prodhuesit e shërbimeve kontribuuan me +4,0 pikë përqindje. Prodhuesit e shërbimeve zunë 30,9% të investimeve nga 28,3% që zinin vitin e kaluar. Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është sektori i energjisë elektrike, gazit, ujit dhe trajtimit të mbetjeve, i cili për vitin 2017 ka investuar 71 miliardë lekë duke zënë 30,6% të investime gjithsej. Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restoranteve (2,6 %) dhe transporti, informacioni dhe komunikacioni (5,7 %).
Numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2017 ul me 0,8%. Prodhuesit e shërbimeve kontribuuan me -0,6% në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive dhe prodhuesit e të mirave me -0,2%. Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (41,4%) i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (20,8%) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (18,2%). Gjatë vitit 2017, sektori i industrisë nxjerrëse pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,5% të ndërmarrjeve aktive gjithsej.