Largimet nga puna i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 20 milionë dollarë çdo vit. Pasi evidentimit që i bëri kësaj problematike Presidenti i Republikës, është Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka vlerësuar kostot reale që sjell largimi i të punësuarve në administratë me ndërrimin e Qeverive. Scan ka zbardhur një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili vlerëson kostot në buxhet të largimeve nga puna për vitin 2018 dhe vitet e mëparshme.
“Vendimet gjyqësore për largim nga puna vazhdojnë të krijojnë efekte negative për Buxhetin e shtetit, (mbi 2 miliard lekë çdo vit), duke mos marrë masat e duhura nga institucionet buxhetore për sistemimin e gjyq-fituesve pavarësisht vendeve vakante dhe lejuar akumulimin e pagave të pagueshme për çdo pozicion pune”, theksohet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ndërkohë që sipas një raporti të bërë publik së fundmi, në 3 vitet e ardhshme shteti duhet të paguajë 30 mijë paga me koston e 15 mln euro. Për tre vite me radhë nga buxheti i shtetit do të duhet të përballojë një fond prej 15 milionë eurosh, përmes të cilit do të paguhen 30 mijë paga të administratës të cilët kanë fituar gjyqin për shkarkim të padrejtë përgjatë 2017-2018. Deri në vitin 2018 nga buxheti i shtetit janë paguar 100 mln euro dëmshpërblime pagash për largime të padrejta nga puna.