Gara për ajrin është ashpërsuar në vitin 2018. Italia vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut. Rritje të ndjeshme shënuan charter-at, të nxitur nga kthimi i Shqipërisë në destinacion të preferuar turistik dhe Londra e Budapesti, nga hyrja e linjave low cost…
Aeroporti i Rinasit po bëhet gjithnjë e më i zënë, teksa më shumë shqiptarë po udhëtojnë dhe të huajt që po vijnë për të kaluar pushimet në vend shtohen. Në 2018-n, trafiku në Aeroportin e Rinasit shënoi nivel rekord prej 2.95 milionë pasagjerësh, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%.
Rreth 7% më shumë shqiptarë udhëtuan nga dhe drejt Rinasit në 2018-n, në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas shifrave të INSTAT. Por, lulëzim të vërtetë shënuan të huajt, trafiku i të cilëve në hyrje e dalje u rrit me 27%, pas zgjerimit me 29% të vitit të mëparshëm, duke e bërë periudhën 2017-2018 më të mirën në historinë e pas tranzicionit për ardhjen e turistëve.
Fluksi i pasagjerëve me charter u rrit me 64% në 2018-n, ku ndikimin kryesor e dhanë linjat nga Polonia, Norvegjia, Izraeli, Ukraina, Çekia, Suedia, teksa agjencitë turistike në bashkëpunim me ato shqiptare sollën turistë në hotelet shqiptare, kryesisht në bregdetin e Durrësit, duke futur për herë të parë në mënyrë masive konceptin e “all inclusive” ose “half board”.
Gjithsesi, Italia, ku jetojnë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve, shkruan Monitor.