Tahir Shabani, merr titullin "Ambasador Nderi dhe Komisioner i Lartë për Paqen Botërore"

E Enjte, 28 February 2019 18:24

Zyra e Misionit Diplomatik për Paqe dhe Zhvillim ka nderuar me titullin e lartë "Ambasador Nderi dhe Komisioner i Lartë për Paqen Botërore", zotin Tahir Shabani. Ky titull është dhënë sot në një ceremoni ku merrnin pjesë mjaft personalitete të fushave të ndryshme të jetës. Zoti Abazi është kreu i Shoqatës së Miqësisë Shqiptaro-Franceze.

Në fjalën e tij Prof. Dr. Sulejman Abazi NESHAJ, doktor "Honoris Cauza" për Sigurinë dhe Paqen tha se: -“Kam privilegjin të paraqes para jush disa momente më të spikatura të veprimtarisë së gjerë të këtij personaliteti të jetës shqiptare, tashmë si pjesë e Misionit Diplomatik, duke e promovuar atë në një angazhim të suksesshëm për përfaqësimin e vlerave të larta politiko - shoqërore, humane e njerëzore”.
“Zoti Tahir Shabani, sot ju na nderoni me praninë tuaj në këtë ceremoni. Misioni Diplomatik Për Paqe e Zhvillim në Tiranë, si një institucion human dhe paqësor me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare, ndihet i respektuar. Rruga e vështirë dhe fisnike që keni zgjedhur në shërbim të njerëzimit, të Kombit dhe të shteteve shqiptare, sot ju bën pjesë aktive në mundësitë kontributet e vlefshme, të cilat do të reflektojnë akoma më shumë në frymën paqësore, të humanizmit dhe të solidaritetit në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë. I nderuar Ambasador, të nderuar pjesëmarrës. Jemi të bindur që Zyrës së Misionit Diplomatik, sot i është shtuar një personalitet në fushë shumë dimensionale të veprimit në shërbim të shoqërisë shqiptare, komunitetit shqiptar në botë dhe të edukimit të brezit të ri. Fryma kombëtare dhe atdhedashuria në personalitetin dhe punën e zotit Shabani, mbeten shembull referuese për shumë të tjerë, përballë një personaliteti të formuar me vlera gjithëpërfshirëse intelektuale e4 atdhetare.  Nga ky institucion i Paqes, ne sot kemi rastin të përcjellim mesazhet më të ngrohta dhe të sinqerta të njerëzve tanë të mirë, që me përkushtim ecin në rrugën e sakrificës dhe kontributeve për një të ardhme më të mirë. Ne të gjithë së bashku shprehim bindjen se, titulli që i jepet sot zotit Tahir Shabani në Zyrën e Misionit Diplomatik, do të jetë nxitje e fuqishme për angazhime më të mëdha në rrugën e Paqes dhe të Zhvillimit, për t'i ofruar sot e në të ardhmen shërbimet më të çmuara Kombit tonë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Ju përshëndes dhe ju uroj shëndet e shumë suksese në rrugën tuaj të vështirë, por të sigurte, për të reflektuar vlerat më të larta të atdhedashurisë, profesionalizmit dhe të dinjitetit njerëzor. Paqja qoftë me ne, paqja qoftë me ju, të gjithë së bashku si misionarë të devotshëm të saj. Faleminderit!”- tha z.Abazi.
Kush është Tahir Shabani
Tahir Shabani, i lindur në Kosovë 5 maj 1961, me shtetësi kosovare, shqiptare dhe franceze, i martuar me dy fëmijë, një jurist, diplomat, aktivist të të drejtave të njeriut, pedagog universitar, një veprimtare me kontribute reale në shërbim të politikës, diplomacisë, paqes dhe humanizmit për kombin shqiptar.  Zoti Tahir në vitin 1980 kryen shkollën e mesme në Ferizaj, dhe prej vitit 1992 - 1996 kryen Fakultetin Histori - Filologji, i diplomuar në degën e gazetarisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 1995 kryen specializimin pranë  Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe në Gjenevë. Më pas, në vitin 2002, trajnohet pranë Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Gjeopolitike, në 2007 dhe 2009 në kryen studime pasuniversitare në Akademinë Diplomatike Shqiptare, Tiranë. Në vitin 2018 për kontribut akademik certifikohet në Universitetin "Hasan Prishtina". Pjesëmarrës në disa simpoziume shkencore i vlerësuar në Universitetin "Hasan Prishtina", "Kadri Zeka", Kolegjin "Iliria", Kolegjin e UBT-së, Kolegjin "AAB", Kolegjin "Universum" mbi marrëdhëniet Kosovë - Francë - Zvicër dhe perspektivat e integrimit.  I vlerësuar me certifikata mirënjohje nga Shoqata e Artistëve Figurativ “Gursel Sylejmani”, nga Federata e KICK BOX-it në Kosovë, nga Shoqata e personave të pagjetur “Zëri i Prindërve”, Radio Televizioni i Kosovës, nga Plus Televizion, nga  Komisioni për Buxhet dhe Financa - Kuvendit të Kosovës, nga Komuna e Vitisë, Hanit të Elezit, Gjilanit, Podujevës, vlerësime këto që flasin për një angazhim të gjerë të zotit Tahir Shabani në jetën akademike, institucionale dhe kulturore sportive në Kosovë dhe jashtë saj. 

Në vitin 2004  kryen Kursin e plotë të perfeksionimit të gjuhës Angleze si dhe dy vite më vonë, trajnime për Njohjen e Procedurave Civile dhe Juridike pranë Fakultetit të Drejtësisë, në qytetin e Lyonit, Francë.  Trajnimet e specializuara pranë Redaksisë së kulturës në Radio Tirana, pranë Redaksisë së informacionit në televizionin publik shqiptar, pranë Organizatës «Reporterët pa Kufi» në Paris, pranë Klubit Zviceran të shtypit në Gjenevë, i kanë dhënë hapësira për të shfaqur kontribute reale në shërbim të komunitetit shqiptar, brenda dhe jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. 

Rritja e përvojës në këto angazhime, është mundësuar nga pjesëmarrja me delegacionet nga Shqipëria në Konferencat dhe Kongreset vjetore të ILO-së, OBSH-së, OBT-së, UIT-së, OBPI-së - Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë - BSPSH-së nga viti 2009 deri në 2009. Brenda kësaj periudhe, zoti Tahir Shabani aktivizohet si pjesëmarrës dhe koordinator i delegacioneve nga Qeveria e Republikës së Kosovës në Konferencat vjetore të ILO-s/ Organizata ndërkombëtare  e  Punës në Gjenevë.
Këto angazhime kanë mundësuar shumë funksione dhe mandate përfaqësimi në institucione të ndryshme shtetërore dhe të Shoqërisë Civile, në Kosovë dhe Shqipëri. Prej majit të vitit 2007 deri në 2010, ka kryer funksione si; Këshilltar i Jashtëm – ekspert i së drejtës ndërkombëtare pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Qeverisë së Kosovës; përfaqësim pranë Komisionit Evropiane, të BE dhe misioneve Diplomatike në Gjenevë; si përfaqësues i autorizuar për kontakte me delegacionet në konferencat ndërkombëtare të punës dhe vendosje bashkëpunimi me misionet diplomatike në Gjenevë, në interes të Republikës së Kosovës.
Ka ushtruar funksione si Këshilltar i Jashtëm Politik në Kosovë, me kontribute pranë Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO-s); si Këshilli i pavarur mbikëqyrës i Kosovës për protokollin dhe raportet e bashkëpunimit me komisionin Evropian dhe vendet e BE-së, në interes të Kosovës. Zoti Shabani njihet si lobues pranë Organizatës Botërore të Tregtisë me seli ne Gjenevë dhe si autor i Marrëveshjes ndërmjet Francës dhe Kosovës, në lëmin e punës dhe mirëqenies sociale në vitin 2008. Prej vitit 1996 - 2007 ai punon si Bashkëpunëtor i jashtëm për çështje të shtypit dhe pritjeve të delegacioneve, i akredituar nga Ambasadorët e Shqipërisë pranë Misionit Diplomatik në OKB dhe Organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, duke marrë pjesë në samite, seminare, konferenca dhe debate ndërkombëtare për çështjen shqiptare në Ballkan.
Në vitet 1998 - 1999 gjatë kohës së Luftës në Kosovë, zoti Shabani angazhohet në aktivitetet humanitare dhe diplomatike, duke siguruar ndihma, dërgesa humanitare me avion ushtarak në mbështetje të popullsisë së zhvendosur, nën mbështetjen e shtetit të Francës dhe të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, të mediave dhe diplomatëve të huaj, duke i shërbyer në kohë çështjes shqiptare. Në këtë periudhë të vështirë organizon disa takime e konferenca të shtypit me përfaqësuesit politik dhe ushtarakë të shtetit shqiptar. Në këtë veprimtari diplomatike dhe humanitare ka gjetur mbështetjen, bashkëpunimin dhe përkrahjen e parlamentit, Senatit dhe Qeverisë së Francës, të Komunave dhe Asociacionit të tyre në Annecy – Haute Savoie – Francë.
Angazhimi në shërbim të veprimtarisë së Këshillit të Drejtave të Njeriut, Federatës së Helsinkit dhe organizatave jo-qeveritare, kontributet për Republikën e Shqipërisë në anëtarësimin në OBT; ndihma e pakursyer pranë grupeve të ekspertëve dhe diplomatëve të OKB-së për aprovimin e rezolutave në favor të Kosovës; anëtarësimi aktiv në klubin diplomatik të Gjenevës, të bordit drejtues të personaliteteve me influencë ndërkombëtare në OKB dhe agjencive të tjera ndërkombëtare të specializuara në fushën e diplomacisë Botërore me seli në Gjenevë, etj. i kanë dhënë punës së tij karakterin human dhe paqësor.
Për shkak të trajnimeve dhe aftësive administruese zoti Tahir Shabani, në vitin 1996 e në vazhdim vepron si përfaqësues i Radio Televizionit Shqiptar pranë Institucioneve Evropiane, në veçanti në Francë, radiotelevizionit Zviceran dhe pranë Organizatave Ndërkombëtare në Gjenevë. Statusi dhe përvoja diplomatike në fushën e të drejtave njerëzore i ka mundësuar të jetë në rolin e vëzhguesit ndërkombëtar në fushata zgjedhore në Shqipëri dhe Kosovë.
Si pjesëmarrës në kongresin Botëror të unionit parlamentar në  Gjenevë dhe samitin botëror për mbrojtjen e autorësisë intelektuale, organizator i më shumë se 10 aktiviteteve kulturore, tregtare, panaireve, organizatave të bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, në veprimtarinë e tij të gjerë humane e paqësore, si "Qytetar Nderi" i Këshillit Bashkiak të qytetit Bajram Curri, si anëtar Nderi në disa shoqata brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, në Kroaci, Francë, Zvicër, zoti Shabani është zgjedhur i merituar në 9 shoqata dhe borde kulturore, humanitare dhe të specializuara në fushën e të drejtave njerëzore në trojet shqiptare dhe në Europën Perëndimore. Zoti Tahir Shabani zotëron gjuhën Frëngjishte, Italishte, Gjermanishte, Anglishte, Kroatishte dhe Serbisht.
Për këto kontribute ka merituar falënderimet e Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në Gjenevë dhe institucioneve ndërkombëtare. Sot zoti Tahir Shabani ka 9 marrëveshje të bashkëpunimit Universitar në Kosovë, duke dhënë kontribute në edukimin akademik të gjeneratave të reja. 

1.jpg

 

          

Modifikuar më E Enjte, 28 February 2019 18:27
Login to post comments