Në Kurbin, edhe ka, edhe s’ka kala!

Diel, 03 Mars 2019 20:36
Nga Elton Laska
 
Kalaja e Sebastes, që mendohet të jetë ndërtuar në shekujt IV-III para Krishtit, është një ndër veprat që duhet të nxirret në dritë nga arkeologët dhe me pak investime, do kthehej në një atraksion turistik të jashtëzakonshëm, ku vizitorët vendas dhe të huaj, mund të njiheshin me lashtësinë e trevës së Kurbinit. Sipas studimeve të bërë publike nga A. Baçe, Gj. Karaiskaj dhe planin e kalasë nga Skënder Muçaj, emra këta të studiuesve më të njohur, Kalaja e Sebastes-Laç, ka qënë e populluar që në kohën e Perandorisë Romake dhe ka qenë një pikë strategjike luftarake, mjafton të shikosh vetëm pozicionin gjeografik ku është ndërtuar, në majë të shpatit të malit. Lidhja historike me Kishën e Shna Ndout dhe ndërthurja e veçantë natyrore mes këtyre dy objekteve, do duhej të ktheheshin në kryefjalë të identifikimit të Kurbinit. Kurbini, së bashku me Mirditën dhe treva të tjera në Veri të vendit, kanë qenë në ballë të qëndresës, për ruajtjen e traditave të pastra shqiptare dhe besimit katolik. Në fshatrat e Kurbinit, ka një seri kishash katolike shekullore, që kanë degraduar, si pasojë e mungesës së kujdesit nga dora e njeriut. Ato objekte kulti kanë vlera unike shpirtërore dhe historike ndaj Kisha Katolike dhe Ministria e Kulturës, së bashku me faktorë të tjerë, do duhej të nisnin punën për evidentimin e këtyre objekteve dhe restaurimin e tyre, me synimin për t’i kthyer në identitet. Kisha dhe kurbinasit, janë një binom që për shekuj i kanë rezistuar shumë stuhive, ndaj ne kemi detyrimin të ngremë zërin, që këto vlera të mos veniten.
Login to post comments