Protesta masive në Podgoricë, Beograd dhe Zagreb. Ballkani përfshihet...

Hënë, 04 Mars 2019 20:55

Ballkani është përfshirë nga protesta masive të cilat po mbahen kundër një klase politike të korruptuar dhe që ka lidhje me krimin e organizuar. Të dielën pati protesta në Podgoricë, Beograd dhe Zagreb. Shoqëria civile dhe gazetarë, prej katër javësh kërkojnë largimin e presidenti malazez Milo Gjykanoviç, por edhe të kryeministrit e disa prokurorëve. Në Beograd protestat vijojnë prej 13 javësh kundër presidentit Aleksandër Vuçiç.

Për të katërtën javë me radhë, mijëra protestues u mblodhën në Podgoricë, kryeqytetin e Malit të Zi për të kërkuar largimin e presidentit Milo Gjykanoviç. Ai akuzohet me korrupsion dhe abuzim me detyrën. Gjithashtu protestuesit po kërkojnë largimin e kryeministrit Dushko Mirkoviç, prokurorit të përgjithshëm Ivica Stankoviç dhe kryeprokurorit për krimin e organizuar Milivoje Katnić.

Shoqëria civile dhe gazetarë, të cilët pretendojnë se nuk janë të lidhur me ndonjë parti politike, marshuan të dielën në qendër të Podgoricës me thirrjet “Milo hajdut”. Opozita është distancuar nga protesta, pasi fillimisht ajo e mbështeti atë.

Protesta kundër pushtetit ka pasur edhe në Beograd për të trembëdhjetën javë radhazi. Protestuesit mbanin në duar një banderolë me shkruhej: 1 në 5 milionë, pasi presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nuk do të largohet sikur kundër tij të dalin 5 milionë protestues.

Ndërsa në Zagreb të Kroacisë, me qindra gazetarë marshuan kundër qeverisë, pasi kohët e fundit ndaj tyre janë ngritur mbi njëmijë padi. Gazetarët kroatë thonë se kjo është një përpjekjet për t’i censuruar dhe që dëmton lirinë e shprehjes.

Login to post comments