Mësuesit e parë nga Shqipëria në Tetovë më 1941

Tuesday, 05 Mars 2019 12:28

Nga Ismail Arsllani

-Kush e solli Abetaren e parë në gjuhën shqipe nga Shqipëria në Tetovë. -Shkolla e parë shqipe në Tetovë u hap në qershor të vitit 1941, me mbajtjen e kurseve intensive nga mësuesit Mithat Cami nga Dibra dhe Vasil Dhimitriu nga Elbasani, ndërkaq viti i parë shkollor filloi më 1 shtator 1941. -Në shkollat e para në gjuhën shqipe në Tetovë dhe rrethinë u angazhuan nja 50 mësues nga Shqipëria, prej të cilëve 30 nëpër fshatra, kurse 20 të tjerë në qytet, ku u përfshinë më se 1.000 nxënës të fillores, në 22 paralele

Në periudhën mes dy Luftërave Botërore, interesimi për gjuhën, shkollën dhe kulturën shqiptare në trevën e Tetovës ka qenë vazhdimisht i pranishëm, sidomos mes viteve 1935-40, kur një grusht intelektualësh dhe arsimdashësish shqiptarë ishin angazhuar edhe konkretisht në këtë rrafsh. Me një sërë aktivitetesh, madje edhe me sakrifica personale, për aplikimin e gjuhës shqipe nëpër shkollat e këtushme, veçmas janë dalluar Selim Shehabi, Ismail Xhaferi, Hysein Xhaferi, Idris Cërcëri e disa të tjerë, ka deklaruar Abedin Qafjani, funksionar i dikurshëm shumëvjeçar për çështje të arsimit në Tetovë.
Duhet veçuar veprimtaria patriotike e intelektualit shqiptar Selim Shehabi, i cili solli nga Shqipëria ilegalisht Abetaren e parë në gjuhën shqipe në Tetovë, si dhe disa tekste të tjera, me qëllim të përhapjes së librit shqip, të shkrimit dhe të leximit në gjuhën amtare. Në këtë aspekt ka kontribuar shumë edhe konsulli i Shqipërisë në Shkup, i cili po ashtu ka bërë të mundur futjen e librave shqip në këto treva.
Shkolla e parë shqipe në Tetovë është hapur në verë të vitit 1941, në qershor-gusht, kur janë organizuar disa kurse speciale për parapërgatitjen e nxënësve për fillimin e vitit të parë shkollor në gjuhën shqipe në Tetovë. Në këto kurse, sidomos punohej në aftësimin e nxënësve në fushën e gjuhës amtare. Për këto kurse ishin caktuar mësuesit Mithat Cami nga Dibra dhe Vasil Dhimitriu nga Elbasani.
Më 1 shtator të vitit 1941 do të shënohet një ngjarje me rëndësi historike në fushën e arsimit shqip në Tetovë, pasi që do të fillojë viti i parë shkollor me mësim në gjuhën shqipe. Për sigurimin e kuadrove arsimore në këto shkolla, me vendosjen e administratës së shtetit shqiptar edhe në këto troje, Ministria e Arsimit e Shqipërisë do të emërojë një numër  të madh mësuesish me përvojë nga Shqipëria, normalistë të Elbasanit, që të punojnë në këtë trevë. Në shkollat e para në gjuhën shqipe në Tetovë dhe rrethinë u angazhuan nja 50 mësues nga Shqipëria, prej të cilëve 30 nëpër fshatra, kurse 20 të tjerë në qytet, ku u përfshinë më se 1.000 nxënës të fillores, në 22 paralele.
Procesi i mësimit zhvillohej në disa objekte të qytetit, si në atë “Skënderbeu” (pas Luftës së Dytë Botërore mori emrin “M.Tito”, kurse pas pavarësisë së RM-së “G. Dellçev”), ku drejtor u emërua Beqir Kllojka nga Peqini, kurse në ish-objektin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, ishte shkolla e quajtur “Tajar Tetova”, ku drejtor ishte Qemal Haxhihasani nga Elbasani. Inspektor i arsimit për këto shkolla ishte emëruar Mexhait Bekteshi nga Kavaja.
Në mesin e mësuesve të parë të shkollave të para në Tetovë, me sukses kanë punuar Rrustem Ismailati, Hysen Hoxha, Josif Todi, Fatbardha Çaushi, Kadri Hoxha, Abedin Faja, Vasil Dhimitriu, Xhafer Narazani etj. Një plejadë e tërë mësuesish kanë punuar edhe nëpër fshatrat e Tetovës, si Murteza Peza, Dhimitër Shuli, Murtezan Kazadei, Azem Morana (nga ana e Shkupit), si dhe Vehap Kadriu, Idriz Idrizi nga fshati Gajre e të tjerë.
Prej personaliteteve më të shquara në mesin e mësuesve nga Shqipëria, që punuan në këto anë, individualiteti i theksuar arsimues-edukativ i Jonuz Ballës është i pranishëm edhe sot në mesin e kuadrove që i nxori ai, sikundër që ishte edhe  personaliteti i Qemal Haxhihasanit.
Mësuesi Jonuz Balla nga Elbasani, nga prilli i vitit 1944 emërohet drejtor i shkollës “Skënderbeu” të Tetovës nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë. Shkolla në të cilën u angazhua ky si drejtor, shpejt u shndërrua në një vatër të vërtetë arsimore. Numri më i madh i nxënësve të kësaj shkolle vazhduan mësimet në gjimnazin e ulët “Haxhi Tahsini” të Tetovës, si dhe në shkollat e tjera të mesme e të larta të Maqedonisë. Në Gjimnazin e ulët të Tetovës ka pasur 5 paralele, me gjithsej 165 nxënës. Drejtori i kësaj shkolle ka qenë Sali Çaushi nga Korça, ndërsa profesorë kanë qenë Zeqiria Spahiu nga Tirana për lëndën e biologjisë dhe Vasil Naqi nga Elbasani, për gjuhë dhe letërsi shqipe e të tjerë.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Jonuz Balla mbetet në Tetovë, ndërsa Ministria e Arsimit e Maqedonisë më 1945 do ta emërojë atë për inspektor të Arsimit në Bashkinë e Tetovës. Në periudhën 1944-45 në Tetovë kishin mbetur nja 10 mësues nga Shqipëria. Jonuz Balla do të kontribuojë mjaft për sigurimin e kuadrove, duke i angazhuar njerëzit që dinin shkrim e lexim nëpër kurse pedagogjike, që organizoheshin në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe kishin rangun e shkollës normale për mësues.
Më 1 shtator 1945 nëpër shkollat e Tetovës dhe rrethinës do të angazhohen mbi 100 mësues kursistë, të cilët ishin kuadrot e para shqiptare vendase pas luftës, që bartën peshën e arsimit për brezat që vinin. Kurset pedagogjike zhvilloheshin në muajt e verës, kur nuk kishte mësim nëpër shkolla, për katër vjet rresht, ndërsa pas kryerjes së kurseve merreshin edhe diplomat përkatëse.
Seksioni i arsimit i Këshillit të rrethit të Tetovës nga kursistët kishin angazhuar në punë nëpër shkolla shqipe mësuesit e parë, si Qerim Arifi, Rifat Vela, Abedin Qafjani, Rrahman Besimi, Hasip Krasniqi, Ystref Mahmuti e shumë të tjerë, ndërsa në disa fshatra të Shkupit ishin angazhuar mësuesit Nizamedin Bajraktari, Salajdin Hyseini dhe Abdulla Buklla. Në Tetovë kishin mbetur edhe disa mësues nga Shqipëria, si Veronik Lora, Ana Sopi, Zija Sadiku, Vehap Kadriu etj., ka thënë Abedin Qafjani, i cili ka pasur poste me rëndësi në fushën e arsimit të Komunës së Tetovës.

Login to post comments