Asi nën mëngë që kanë prokurorët kundër Saimir Tahirit

Premte, 08 Mars 2019 21:38

Saimir Tahiri do të përballet në gjykatë me akuza të rënda që ka ngritur prokuroria ndaj tij. Ai vetë tha se janë akuzat më të forta artikuluar ndonjëherë, duke u renditur pas Aldo Bares. Sakaq, avokati ka pretenduar se nuk ka asnjë bazë për këto akuza.

Maksim Haxhia përdori dhe një shprehje kur tha se ‘është pretendim absurd që Prokuroria ka ‘as nën mëngë’ ndaj Tahirit. Në gjyq, prokurorët kanë çuar vetëm provat e prokurorisë së Katanias’.

Por prokuroria nga ana saj thotë se ka prova ndaj Tahirit dhe këto i ka përfshirë në dosje. A2 raporton se ‘gjatë muajve prill-maj, 2016 rezulton se ish-drejtuesit më të lartë të Policisë së Vlorës, sektorit të Antitrafiqeve dhe Policisë Kufitare Dhërmi, kishin siguruar sipërfaqe toke, pyll, kullota në pronësi shtet dhe provat, në territorin e zonës administrative Vlorë, me qëllim kultivimin e kanabisit.

Gjatë kontrolleve në fshatrat Vezhdenisht dhe Treblove janë konstatuar një numër i madh parcelash të mbjella me nga 4500-5000 rrënjë secila.

Lidhja mes grupit dhe policisë lokale është provuar nga përgjimet telefonike. Raportet e monitorimit nga ‘Guardia di Finanza’ në hapësirën ajrore shqiptare rezulton se numrin më të madh të tyre e kanë në Qarkun Vlorë.

Nga transkriptimet e përgjimeve mes anëtarëve të grupit Habilaj, të kryera nga autoritet italiane rezulton se gjatë aktivitetit ata kishin mbështetjen e ish-ministrit të Brendshëm, i cili ju garantonte lehtësira gjatë transportit, nëpërmjet vartësve.

Në dosje është edhe dëshmia e një shtetasi italian, i cili ngre dyshimet se paratë që përfitoheshin nga një njeri me pushtet në Shqipëri përdoreshin për fushatë elektorale.

Login to post comments