Lesi për Ramën: Nga gazetar i imi u bë Kryeministër, dhe tani ja fundi i tij…

Diel, 24 Mars 2019 17:09

Edi Rama erdhi diku nga marsi 1998 direkt e Ministër Kulture. Nga analist dhe gazetar i të përditshmes “Koha Jonë”, ai u bë shpejt një “star” në botën e politikës aktive shqiptare, edhe për hir të oratorisë së tij dhe shfaqjes si një “dele e bardhë” në politikën e zezë të pas vitëve të mbreterimit berishian 1992-1997. Elokuent, i çmendur për të bërë gjëra që nuk i kishte manifestuar askush nga politika e lartë, realisht punëtor dhe më pas me një “kazmë” punoi për shkatërrimin e sistemit të ngurtë partiak. I veshur herë me një palë brekushe, ku bëhej lajm dite dhe herë-herë me një çorap të kuq dhe tjetrin të bardhë, ai diti me finesë të ishte një risi, ai dërmoi imazhin e politikanit 50-vjeçar që rrinte e mbante shënime për t’iu përgjigjur popullit me “protokoll”.

Më pas kryebashkiak i suksesshëm, i pakonkurrueshëm, por edhe mjeshtër i fasadës. Dhe njerëzit duket se pëlqyen dukjen dhe jo brendinë, brendi e cila këto vitet e pushtetit si kryeministër ia zbuloi ndjenjën e arrogantit dhe dhunuesit me forcën e pushtetit.

Edi Rama ishte model tjetër nga ai i Fatos Nanos, që për hir të së vërtetës, Nano ishte liberal në mënyrën e administrimit të pushtetit dhe të PS-së.

 

Pas marrjes së PS-së, Edi Rama, e transformoi krejt shtyllën kurrizore të së majtës socialiste. I mori palcën e majtë dhe ia zëvëndësoi me “rilindjen”, njëlloj si Hugo Chavez në Venezuelë në të njëjtat vite, paralel me Edi Ramën, tjetërsoi Venezuelën, duke e kthyer në një pushtet agresiv, të dhunshëm dhe siç transmetoi dje BBC në një dokumentar për Chavez, harxhoi miliarda për të blerë zgjedhjet. Hugo Chavez mori nga banka qendrore mbi 12 miliardë dollarë për të blerë zgjedhjet, kurse Edi Rama përdori bandat kriminale me miliardat e kanabisit për t’i blerë votat, siç edhe po del nga hetimet e drejtësisë, por që me shumë se çdokush e nxori “Zëri Amerikës”, RAI1 dhe stacionet gjermane.

Hugo Chavez iku me kohë, kurse Edi Ramës po i vdes epoka e tij 20-vjeçare e pushtetit. Dhe për fajin e tij, se do t’i ketë të gjithë pushtetet, madje dhunshëm dhe me propogandë që edhe kur të rreh, t’i thuash “faleminderit”.

Epoka e Edi Ramës po vdes! Eshtë çështje kohe, por ka filluar Fillimi i FUNDIT!/Koha Jone-N. Lesi/

Login to post comments