Statistika e frikshme: 111353 shqiptarë lanë Shqipërinë dy muajt e parë të 2019-s

Hënë, 25 Mars 2019 12:04

Nga Ilir Nikolla

Ekziston një statistikë e thjeshtë për të analizuar flukset e lëvizjes së shqiptarëve jashtë vendit dhe për ta lidhur atë me ritmet e përgjithshme të emigrimit. Nëse në shumë muaj, balanca e shtetasve që dalin nga territori është gjithmonë më e madhe sesa numri i atyre që kthehen në atdhe, atëhere kemi të bëjmë me një largim pa kthim, me një emigracion të padeklaruar. Edhe numrat për janarin dhe shkurtin e këtij viti vijojnë të jenë me shifra katastrofë të larta, të cilat flasin për një eksod “të qetë” nga Shqipëria. Edhe pse balanca e dhjetorit ishte sërish negative, çka do të thoshte se përralla për numrin e lartë të emigrantëve që erdhën në Shqipëri për festa nuk ishte e vërtetë, shifrat e janarit dhe të shkurtit flasin për 111 353 shtetas shqiptarë që kanë lënë vendin. Rreth 90 mijë i përkasin vetëm janarit, ndërkohë që mbi 20 mijë është numri i atyre që kanë lënë vendin në shkurt.

Asnjë justifikim lidhur me lëvizjen 90 ditëshe të shqiptarëve në zonën Shengen nuk mund të fshehë emigracionin e fshehtë që po ndodh. Mediat e huaja flasin se shqiptarët e thyejnë viston 90 ditore dhe thjesht nuk paraqiten në zyra për të kërkuar azil (pasi është kuptuar se ai nuk jepet më), por vijojnë të qendrojnë në Gjermani, Francë, Itali e gjetkë thjesht në mënyrë të parregullt. Këto ritme, nëse do të vijojnë të tilla, rrezikojnë të mbërrihet në shifrat biblike të 3-400 mijë largimeve në një vit. Analistët mendojnë se një valë edhe më e madhe emigrimi do të verifikohet pas qershorit, kur Shqipërisë nuk do t’i çelen negociatat e kur në vend kriza politike do të ketë mbërritur kulmin me dështimin e zgjedhjeve vendore.

Ekspertët flasin se tradicionalisht, janari dhe shkurti janë muajt më të mirë të bilancit për emigracionin, pasi në muajt e fillimit mund të kompensohen hyrjet masive për festa apo largimet për pushime. Ky kompensim ka ndodhur dhe llogaria del -111353 shtetas.

Një pyetje për Edi Ramën: Sa e pret bilancin në fund të vitit, në mënyrë që të pranojë më në fund se po, po ndodh një eksod? (Pyetja është retorike, pasi largimet Rama i sheh si bojkot ndaj opozitës e si shans për të fituar pa u lodhur zgjedhjet 99,99 përqind...në e lënshim!)

Login to post comments