Universiteti Bujqësor i Tiranës ka shpenzuar 600 mijë dollarë për të ndërtuar një mur rrethues, i cili në pjesën më të madhe të gjatësisë së tij është më pak se gjysmë metër i lartë. Tenderi me firmën e rektorit, Bahri Musabelli është zhvilluar në qershor të vitit të kaluar dhe përveç kostos stratosferike është i mbushur me dyshime të forta.
Sipas dokumentave zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik, tenderi për ndërtimin e murit rrethues të UBT është zhvilluar në 21 qershor të vitit të kaluar dhe fondi limit i përcaktuar ishte 62.7 milionë lekë ose 627 mijë dollarë amerikanë pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Sipas dokumentave, në tender kanë marrë pjesë gjithsej 8 kompani. Por UBT, në cilësinë e autoritetit kontraktor nuk ka shpallur fituese as ofertën e parë më të ulët, as 4 të tjerat pas saj, por ja ka dhënë tenderin kompanisë Shpresa sh.p.k, e cila për nga oferta ekonomike ishte renditur e gjashta.
Sipas APP, oferta më e ulët në tenderin për ndërtimin e murit rrethues të Universitetit të Kamzës është dhënë nga kompania Viante Konstruksion me vlerë 421 mijë dollarë. Pas kësaj kompanie janë renditur katër të tjera me oferta nga 450-500 mijë dollarë, por edhe këto janë skualifikuar ashtu si e para.
UBT ka shpallur fituese kompaninë Shpresa sh.p.k, e renditur në vendin e gjashtë e cila ka ofruar një cmim prej 523 mijë dollarë pa TVSH ose 640 mijë dollarë duke përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për ndërtimin e një muri gjysmë metri të lartë dhe një porte hyrëse.
Sekseri i qeverisë
Vitet e fundit rektori i Universitetit të kamzës Bahri Musabelliu është përfshirë në një sërë skandalesh të rënda. Hera e parë ishte kur ai u akuzua publikisht nga pedagogu Dardan Shehdula, përmes një letre të hapur publike për paaftësi dhe nepotizëm.
Pak kohë më vonë Musabelliu u përfshi në një tjetër skandal, kur tradhëtoi pabesisht studentët gjatë protestës duke i çuar në takim me kryeministrin Edi Rama. Gjatë kohës së protestave, studentët e kishin bërë të qartë publikisht se nuk do të pranonin asnjë takim me kryeministrin deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Por në mënyrë të pabesë rektori i Kamzës i mblodhi studentët në takim pa i njoftuar se aty do të shkonte kryeministri Rama, çka shkaktoi acarimin publik të studentëve.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Musabelliu do ta konfirmonte sërish veten si sekser i qeverisë në fillim të këtij viti, kur përmes mesazheve dhe emaileve detyronte pedagodët që të të mblidhen në ambientet e universitetit për të qenë të pranishëm në takimin me ministrin e bujqësisë Bledi Çuçi.
Siç duket shërbimi ndaj qeverisë ka rezultuar i frytshëm për rektorin e Universitetit Bujqësor, i cili prokuron tender 640 milionë lekë për ndërtimin e një muri me dy blloqe.