"Situata në Shqipëri është përkeqësuar, do bëhet edhe më keq"

Tuesday, 09 Prill 2019 13:17

51% e bizneseve gjermane mendojnë se situata në Shqipëri në 2019 është përkeqësuar. Kjo e dhënë vjen si rezultat i anketës së përvitshme të Dhomave Gjermane të Tregtisë në Europën Qendrore dhe Lindore.

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) prezantoi sot në praninë e Ambasadores Gjermane në Shqipëri, znj. Susanne Schütz, zv. amb. Johannes Dietrich dhe zv. ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Belinda Ikonomi, rezultatet e anketimit të vitit 2019 për Klimën e Biznesit dhe Investimeve në Shqipëri.

Ambasadorja gjermane në Shqipëri, gjatë prezantimit, theksoi se gjatë kësaj ankete janë përgjigjur 54% të anëtarëve të DIHA-s, nga 15 vende në Europën Qendrore dhe Lindore.

“Situata e përgjithshme ekonomike shihet me përkeqësim, me 41% të të anketuarve që flasin me nota negative”.

Ndërsa sa i përket pritshmërive për këtë vit, 43% e tyre e shohin se do të përkeqësohet ndërsa 45% e tyre se do të mbetet e pandryshuar”- theksoi znj. Schutz.

Në pyetjen se sa të kënaqur janë bizneset me faktorët, u janë përgjigjur: Pozitivisht: kostoja e punës, produktiviteti dhe motivimi i punonjësve, kualifikimi i punonjësve, arsimimi akademik, disponueshmëria e fuqia punëtore të kualifikuar.

Negativisht: siguria ligjore, administrata publike, parashikueshmëria e politikave ekonomike, transparenca e tenderëve publikë, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.

Një tjetër pyetje e anketimit të DIHA-s lidhet me opinionin e bizneseve se sa mendojnë se emigracioni ka prekur forcën e punës së kualifikuar në Shqipëri, për të cilën 51% u janë përgjigjur me shumë, 38% me mesatarisht, 11% pak dhe 0% me aspak. Bizneset mendojnë se ndër faktorët që ndikojnë në emigracionin e shqiptarëve, janë: 72% situata e keqe ekonomike, arsimi, shëndetësia etj.; 30% lehtësimi i procedurave nga vendet pritëse.

Një tjetër pyetje e lidhur me anketimin është se si mendojnë bizneset lidhur me situatën pas 5 viteve me forcën e kualifikuar, për të cilën 45% e bizneseve thanë se do të stabilizohet, 45% thanë do të përkeqësohen dhe 11% se do të kthehen sërish.

Ndryshe nga ky vit, bizneset e vlerësuan pozitivisht klimën e biznesit një vit më parë, ku dy të tretat e të anketuarve i janë përgjigjur me “mirë” ose “kënaqshëm” pyetjes mbi situatën aktuale ekonomike në Shqipëri.

Login to post comments