Ajri i ndotur mund të ndikojë në rritjen e kriminalitetit. Ky është përfundimi i një studimi 2-vjeçar nga një hulumtues britanik, i cili ka analizuar shifrat e krimit në Londër.
Në studimin e cituar nga media britanike BBC thuhet se numri i ngjarjeve kriminale ishte më i lartë në ato ditë dhe zona ku niveli i ndotjes rritej ndjeshëm.
Studiuesi Sefi Roth krahasoi krimet në zonat e prekura nga ndotja e shkaktuar nga gazrat që çlironin fabrikat në kryeqytetin britanik, me lagjet e tjera në të cilat ajri ishte më i pastër.
Në të njëjtin përfundim ka arritur më herët edhe një studim i ngjashëm në Shtetet e Bashkuara, ku analizohej marrëdhënia mes ndotjes dhe ngjarjeve kriminale.
Megjithatë ende nuk shpjegohet se pse ajri i ndotur ndikon në rritjen e kriminalitetit dhe për këtë duhen studime më të zgjeruara.
Këto përfundime mund të ndihmojnë policinë të shtojë masat e sigurisë në zonat ku parashikohet rritje e intensitetit të ndotjes në ajër në ditë të caktuara. 9 në 10 banorë në gjithë botën thithin ajër të ndotur.