Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Talasemisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Shtetëror të Tiranës në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.
Gjatë kësaj seance ndërgjegjësuese të dhurimit të gjakut, që u zhvillua në godinën “Liria” të Qytetit Studenti, Presidenti Meta vuri në dukje se “Ky dhurim merr një simbolikë të madhe, sepse ndodh më 8 maj, që është Dita Ndërkombëtare e Talasemisë dhe gjaku, që ju dhuroni sot, do të shkojë në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve talasemikë, që kanë aq shumë nevojë për të”.
Pasi përsëriti dhe nënvizoi sërish apelin e tij publik për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe institucioneve që të dhurojnë gjak e të shpëtojnë jetë njerëzore në shenjë humanizmi e solidariteti, Kreu i Shtetit falënderoi profesorët dhe studentët e Fakultetit Ekonomik, sidomos të rinjtë e të rejat që janë kaq të përkushtuar ndaj një kauze të tillë jetike e me rëndësi të jashtëzakonshme humane siç është dhurimi i gjakut, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Talasemisë.
“Jam shumë i kënaqur që rikthehem në Qytetin Studenti, me rastin e 1-vjetorit të krijimit të Aleancës për Dhurimin e Gjakut dhe 20-vjetorit të Shoqatës së Talasemikëve Shqiptarë.
E rëndësishme është të angazhohemi si shoqëri dhe të inkurajojmë sa më shumë të rinjtë e të rejat të përfshihen në kauzën e dhurimit të gjakut.
Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim dhe do kërkojmë kontributin dhe angazhimin e kujtdo. Natyrisht i japim dhe prioritet dhe dhuruesve të rregullt, që në mënyrë të vazhdueshme ta zgjidhim këtë çështje njëherë e përgjithmonë përmes dhurimit vullnetar, siç kanë bërë të gjithë vendet e tjera të zhvilluara”, – vuri në dukje Presidenti i Republikës.
“Besoj se gjatë këtij viti kemi bërë shumë seanca dhurimi në të gjithë vendin. Do të vazhdojmë akoma më tej. E rëndësishme është të angazhojmë sa më shumë të rinj sepse edhe cilësia e gjakut është shumë e rëndësishme
Thelbësore në këtë proces është edhe parandalimi i sëmundjes së talasemisë, që mund dhe duhet të minimizohet nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi efikase”, – theksoi Presidenti Meta.