“Përgjatë 16 viteve të fundit, Brukseli i ka premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, që janë edhe rajoni më vulnerabël i Kontinentit të vjetër, se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Euorpian, por gjatë vitit të fundit, Brukseli ka kryer një rrokullisje të madhe, duke vënë dyshim idenë e zgjerimit”-thotë një artikull i publikuar nga prestigjiozja “Washington Post”, që mban firmën e Jasmin Mujanovic, politiolog i specializuar në politikën e Europës Juglindore.
Shkrimi mban titullin: “Si Bashkimi Europian po tradhton Ballkanin Perëndimor”. Më tej shkrimi vijon duke nënvizuar faktin se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, çështja e zgjerimit është zhdukur fare nga axhenda e politikbërëseve në kontinentin e vjetër. Washington Post vijon duke theksuar se si për Francën, ashtu edhe për Gjermaninë, kampionen kryesore të zgjerimit, tashmë, ky i fundit është kthyer në një toksinë politike. “Kjo kthesë e fortë nuk mund të vinte në një moment më të keq se ky.
Vetëm në Janar Shkupi dhe Athina finalizuan përplasjen e tyre 30-vjeçare, duke i bërë maqedonasit të besonin se po të ndryshonin emrin e shtetit të tyre, do të integroheshin më kollaj në BE”-thuhet më tej. “Thënë më thjeshtë, Bashkimi Europian gënjeu”-nënvizon shkrimi. “Nëse bashkimi europian rrëshqet nga komuniteti euro-atlantik, liderët europianë do të fajësojnë vetëm veten e tyre. “Të shkëputur nga perspektiva e anëtarësimit, politika e Ballkanit shumë shpejt do të bëhet e dëshpëruar dhe e rrezikshme, sidomos për vetë Bashkimin Europian, thuhet më tej. “Bashkimi Europian mund ta kthejë sërish kursin. Duhet patjetër të nisë formalisht negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe të paktën t`i japin Bosnjës statusin kandidat. Kjo gjë, për momentin do të stabilizonte anijen”-mbyllet shkrimi i Washington Post.