Avokati i Marjos: Peripecitë e Marjos për të bindur Suedinë se në Shqipëri do i hakmerreshin

Hënë, 16 Prill 2018 19:12

Ekskluzivisht nga Suedia, avokati i 28-vjeçarit, Maravgi Staifo, rrëfen arsyet përse iu refuzua azili.

“Ai i shpjegoi mirë arsyet e tij për azil, por Bordi suedez i Emigrimit nuk e pranoi aplikimin e tij pasi ishte me vonesë. Vrasja ka ndodhur në vitin 2000 dhe kërkesa për azil u bë shumë vite më vonë”, tha avokati.

Në maj të 2014 Mario kishte aplikuar për leje qëndrimi në Suedi, por nuk iu pranua, pavarësisht se ai kishte rrëfyer historinë e familjes së tij dhe frikën e hakmarrjes.

Në gusht 2015, Bordi i Migracionit në Suedi nuk e kishte pranuar kërkesën. Media suedeze shkruan se 28-vjeçari apeloi dhe mori refuzimin e mëtejshëm të së drejtës administrative në Gothenburg, dy ditë para prag të Krishtlindjeve në të njëjtin vit. 28-vjeçari kërkoi një gjykim në Gjykatën Supreme të Migracionit, por nuk e mori atë dhe u kthye në Shqipëri në pranverën e vitit 2016.

Gjatë kohës së tij në Suedi, 28-vjeçari jetonte në strehimin e azilkërkuesve Hotell Mälarblick në Strängnäs. 

Anders Hedqvist, menaxher i vendstrehimit e ndihmoi me punë të ndryshme gjatë viteve që ai kishte kaluar atje.

Avokati Staifo shtoi: “Ai më ka shpjeguar me detaje historinë e tij, çfarë ka ndodhur dhe pse ndihej i kërcënuar. Por, Bordi i Emigrimit tha se edhe nëse ka ndonjë rrezik nga individë në Shqipëri, mund të gjente mbrojtje nga autoritetet shqiptare”.

Krimi ndaj Mario Majollarit është kryer për hakmarrje, pasi i ati vuan një burgim të përjetshëm për ekzekutimin e dy të rinjve, 18 vite më parë. Avni Majollari ishte arrestuar për këtë krim të ndodhur në segmentin rrugor Tiranë-Dajt, 14 vite më pas dhe po vuante dënimin./Emisioni “Pasdite në Top Channel”.

Login to post comments