Policia portugeze ka sekuestruar mbi 1 ton kokainë me vlerë 49 milionë dollarë dhe ka arrestuar 7 trafikantë që po e transportonin sasinë në bordin e një varke braziliane. Aksioni i policisë luzitane është zhvilluar në det të hapur, me mbështetjen e oficerëve të agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese. Në bordin e varkës policia zbuloi 50 thasë të mbushur me kokainë, të fshehur në një hapësirë të krijuar enkas për të. Sipas hetuesve, lënda narkotike kishte si destinacion tregun evropian. Ndërkohë, personat e arrestuar janë të moshave nga 36 deri në 64 vjeç por kombësitë e tyre nuk janë bërë të ditura. I koduar me emrin “Rëra e Bardhë”, operacioni nisi pas shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve portugeze dhe atyre braziliane dhe u asistua nga agjentë të DEA-s dhe Agjencisë Kombëtare Antikrim të Britanisë së Madhe. Prodhimi global i kokainës arriti rekordin në vitin 2016, kur, sipas shifrave të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, u prodhuan 1 mijë e 410 tonelata.