Të kesh mbaruar arsimin e lartë, në Shqipëri nuk do të thotë që të jesh domosdoshmërish i privilegjuar për të gjetur një punë. Përkundrazi, në 2018-n, është rritur numri i të diplomuarve profesionistë të papunë, ndonëse zyrtarisht papunësia ra ndjeshëm atë vit. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, shkalla e papunësisë për ata që kanë mbaruar arsimin e lartë ishte 14.2%, nga 13.8% që ishte vitin e mëparshëm. Papunësia është rritur tek femrat e diplomuara (nga 13.9% në 15.8%), ndërsa ka rënë tek meshkujt (nga 13.7% në 12.1%). Të mbetur pa punë, ka shumë të diplomuar që po tentojnë të hapin vetë një sipërmarrje private, duke rritur peshën e vetëpunësimit te ky grup.
Tendenca e rritjes së papunësisë tek të arsimuarit e lartë ka ecuri në drejtim të kundërt me totalin e papunësisë në vend, që ra nga 14.1% në 2017-n, në 12.8% në 2018-n.
2018-a duket se ka qenë një vit i mbarë për ata që janë me arsim të ulët 8/9 vjeçar. Shkalla e papunësisë për këtë grup ra nga 12.9% në 10.6%.
Në rënie ka qenë dhe papunësia tek popullsia aktive në moshë pune, që ka mbaruar shkollën e mesme, nga 15.7% në 14.5%.
Në fakt, popullsia me arsim të ulët 8/9 vjeçar rezulton më e guximshme në hapjen e një aktiviteti privat, duke e siguruar vetë punën, kryesisht në njësi tregtimi me pakicë, apo dhe në bar-restorante.
Të dhëna të tjera të INSTAT, tregojnë se 43% e të punësuarve me arsim 8/9 vjeçar janë të vetëpunësuar. Kjo peshë që është shumë më e lartë në krahasim me ata që janë me arsim të lartë, teksa vetëm 13.5% e tyre kanë zgjedhur të hapin një aktivitet të tyrin privat, ku mbizotërojnë meshkujt (21.4), ndërsa femrat e kanë këtë tregues vetëm 7%. Gjithsesi, duket se pamundësia për të gjetur një punë i ka shtyrë dhe ata me universitet që t’i kthejnë sytë nga vetëpunësimi, që është rritur me gati 2 pikë përqindje në 2018-n. Kjo tendencë ka qenë e dukshme si te meshkujt (nga 17.7 në 21.4%) ashtu dhe tek femrat (nga 6.1 në 7%).
Këtë tendencë e konfirmojnë dhe të dhënat e INSTAT për llojet e bizneseve, sipas të cilave shërbimet profesionale janë ato që po hapen më shumë vitet e fundit, teksa po mbyllen subjektet tregtare dhe ato të bar-kafeneve.
Bizneset që kanë shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute në 2019-n janë ato në “Aktivitete të drejtimit të ndërmarrjeve dhe aktivitete të konsultimit”. 186 subjekte të reja (shtesa neto) të kësaj kategorie u hapën në 2018-n, duke arritur në total në 793. Ndonëse numri total i tyre është i ulët në raport me sipërmarrjen tradicionale të shqiptarëve, atë të tregtisë (ku ka gjithsej 35 mijë subjekte), biznesi i shefave dhe i konsulencës ka arritur një rekord të tijin në 2018-n sa i përket hyrjeve të reja në treg. Në raport me vitin 2013, numri i tyre është katërfishuar. https://www.monitor.al/te-jesh-shef-eshte-ne-mode-rriten-bizneset-profesionale-ne-2018-n/
Pse të diplomuarit po mbesin pa punë
Tendenca e përzgjedhjes së degës së shkollës së lartë vitet e fundit rezulton që të mos ketë qenë në të njëjtën linjë me kërkesat e tregut të punës, duke bërë që mijëra të diplomuar të mbesin pa punë, ose të punësohen në një aktivitet që nuk ka lidhje me arsimin e tyre.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se tregu i punës po mbushet me juristë e ekonomistë, që janë dhe dy degët më të preferuara nga studentet. Nga 139 mijë studentë që janë të regjistruar në vitin akademik 2018/2019, rreth 24% e tyre janë në fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, 15% në “Shëndet dhe mirëqenie”, dhe e treta është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim”, me 14% të totalit të studentëve të regjistruar.