Një i ri ka humbur jetën mëngjesin e sotëm duke u përplasur me rrethrrotullimin në Lundër e mandej duke kaluar këtë rrethrrotullim e duke u përplasur me një bazament betoni. Mendohet se i riu ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara dhe është përplasur me një nga këmbët e sinjalistikës së re të vendosur.
Në një njoftim të shkurtër për mediat policia njofton se viktima është një i ri 31 vjeç me inicialet B. M., i cili drejtonte një automjet tip “Benz”. Sipas Policisë i riu ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën e rrugës.
Dyshohet se automjeti i të riut në momentin e përplasjes ka qenë tej normave të lejuara të shpejtësisë ndërsa në asfalt nuk konstatohen shenja të dukshme të frenimit apo manovrave të mundshme para momentit të përplasjes me bordurën e rreth rrotullimit si dhe me tabelën sinjalizuese.
Për ekspertin e sigurisë rrugore Artur Sulçe i gjithë problemi qëndron tek projektimi i gabuar i rreth rrotullimit në Lundër që ndërpret në mes një rrugë të shpejtësisë së lartë siç është autostrada Tiranë-Elbasan.
Sipas Sulçes, sinjalistika në pjesën fundore të autostradës pranë Lundrës është e mangët dhe nuk i shërben parandalimit të aksidenteve në këtë pikë edhe pas shtimit të elementëve të sigurisë që u vendosën fill pas aksidentit tragjik të 16 qershorit. Eksperti vlerëson se duhet ndërhyrë menjëherë për heqjen e rrethrrotullimit dhe zëvendësimin e tij me mbikalim ose nënkalim.