Selman Alija që vrau babanë dhe i hodhi trupin në liqenin e Farkës u dënua me 21 vite burg.
Gjykata për Krime të Rënda e ka gjetur fajtor 28- vjeçarin për veprën penale të vrasjes në familje dhe rreth një muaj më parë e ka dënuar atë. Alija, në dhjetor të vitit 2017, pas një debati të momentit, goditi babanë e tij, Fejzi Alija, dhe më pas trupin e tij e mbuloi me një batanije dhe e hodhi në liqen, për t’u larguar më pas nga Tirana.
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Selman Fejzi Alijës, për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’ dhe, në bazë të nenit 79/c të Kodit Penal, e dënon me njëzet e një vjet burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Selman Fejzi Alija fillon t’i llogaritet nga data 23.12.2017, dita e arrestimit tij”, shkruhet në vendimin e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 22 vite burg për 28-vjeçarin, ndërsa mbrojtja në konkluzionet përfundimtare, kërkoi ndryshimin e akuzës, nga “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” në “Vrasje e kryer në kushte të tronditjes së fortë psikologjike”.
“Mbrojtja në përfundim kërkoi ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga ‘Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’, parashikuar nga neni 79/c i K. Penal në veprën penale ‘Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike’, të parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal”, shkruhet në vendim, por kërkesa nuk është pranuar nga Gjykata, që e ka shpallur fajtor për vrasje brenda familjes. Nga dëshmitë e dhëna nga të afërm, por edhe të vetë 28- vjeçarit, duket se dhuna dhe ofendimet e kanë shtyrë Selman Alijën të vriste babanë e tij.
Familjarët e 28-vjeçarit kanë pohuar në Gjykatë se pas fejesës, pa dëshirën e tij, marrëdhëniet atë e bir ishin acaruar dhe shpesh kishin pasur debate. Nga dëshmia e mamasë së të riut dhe motrës së tij, flitej për një histori keqtrajtimesh psikologjike dhe fizike të zgjatura në kohë.
PRANIMI
Selman Alija është arrestuar në Kamëz, në dhjetor të 2017-ës, kur pas një udhëtimi deri në Kukës pas vrasjes, ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij. Menjëherë pas arrestimit, Selman Alija e ka pranuar atë që kishte bërë, duke treguar edhe detaje për ngjarjen. “Mbrëmjen e 22 dhjetorit, rreth orës 17:00, kur ishte errësuar, isha në derën e avllisë së shtëpisë, në portën kryesore, së bashku me babanë, Fejzi Alija, ku po shkarkonim disa materiale për shtëpinë nga një zetor. Këto materiale i kishim marrë te motra e babit. Në kohën që po shkarkoja thasët me materiale nga mjeti, babai më ka thënë që ‘nusen tënde e kemi përgjysmë së bashku’.
KALLËZIMI
Ndërkohë, kanë qenë disa gjurmë gjaku, që kanë bërë familjarët e tjerë të dyshonin se në banesën e tyre mund të kishte ndodhur një krim. Në dëshminë e saj, nëna e të pandehurit tregon se në oborr ka parë gjurmë gjaku dhe u ka treguar fëmijëve të saj, të cilët kanë shkuar në Polici dhe kanë bërë denoncimin. “Pasi po kontrolloja rreth e rrotull nëpër shtëpi në një tokë aty afër, kam gjetur gjurmë gjaku dhe u thashë fëmijëve për këtë. Më pas vendosëm të njoftonim Policinë. Pas kësaj djali dhe dhëndri telefonuan Policinë dhe më pas shkuam në Komisariatin e Policisë nr. 1. Aty kemi kallëzuar faktin që nuk e dinim se ku ndodheshin Selmani dhe Fejziu dhe u treguam edhe që kemi gjetur gjurmë gjaku te toka”, është shprehur ajo. /Panorama