Mediat lokale greke kanë raportuar ditën e sotme, për shkatërrimin e një rrjeti kriminal të përbërë nga shqiptarë, i cili merrej me trafikun e drogës.
Grupi u shkatërrua në Lamia të Greqisë, ku u arrestuan 7 anëtarët e bandës ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjithashtu u sekuestrua një sasi e konsiderueshme droge gati për tu shitur.
Siç njoftojnë mediat që i referohen policisë greke, në pranga ra një 43-vjeçar nga Shqipëria, i cili ishte edhe shefi i këtij grupi, ndërsa janë zbuluar edhe kodet, me të cilat komunikonin anëtarët e rrjetit.
Kështu, nëse në bisedat e tyre telefonike përmendej ndonjë vizitë për kafe, ajo ishte një marrëveshje droge, ndërsa ‘zezakët’ ose ‘miqtë’ ishin policët.
Kur policia iu shkatërronte plantacionet e kanabisit, ata e cilësonin si një ‘aksident’, ose ‘kurë’. Ata e kodonin kokainën me fjalët ‘pllaka të bardha’, ose ‘qengjat’ dhe e shisnin me 85 euro gramin, ndërsa ‘Albani’ ishte kanabisi me origjinë shqiptare, që kushtonte 2 euro për gramë, pasi ata operonin edhe me kanabisin e mbjellë në Greqi, që e quanin ‘kuajt e ngadaltë’ dhe e shisnin me 2.5 euro gramin.
Kur dikush blinte një gramë hashash, kërkonte një ‘birrë të madhe’ dhe kur dëshironte gjysmë, porosite një ‘birrë të vogël’.