Me të gjitha mënyrat kërkon që t’u mbushë mendjen shqiptarëve që Teatri Kombëtar duhet të shembet dhe aty të ndërtohen kulla dhe këtë sipas Edi Ramës e kërkojnë edhe vetë aktorët.
Por të gjitha deklaratat e publikuara deri më tani nga Rama, janë përgënjeshtruar nga të gjithë protagonistët.
I fundit që ka nxjerrë në publik mashtrimin e Edi Ramës është aktori i njohur shqiptar, Bujar Asqeriu. Dje Rama nxori në Facebook e tij se gjoja Asqeriu ishte pro shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të riu bashkë me kullat.
Por vetë Bujar Asqeriu i ka kundërshtuar deklaratat e Ramës, duke thënë se ato që ka nxjerrë kreu i qeverisë ishin thjeshtë disa fjali të bashkuara nga fjalimet e tij dhe të nxjerra nga konteksti.
Duke folur ekskluzivisht për gazetën ‘Panorama’, Bujar Asqeriu, i cili ndodhej me pushime, tha se Rama ka marrë dhe ka bërë status të tij fraza të shkëputura të para më shumë se një viti, por që në atë kohë e anatemoi rëndë.
‘Ky ka qenë një qëndrim i kahershëm imi, publik, para mediave dhe publikut, ndërsa Kryeministri kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh. Unë kam kërkuar që me çështjen e Teatrit të merren arkitektët. Asnjëherë nuk e kam përmendur fjalën shembje, kam thënë që të flasin arkitektët. Këto qëndrime unë i kam mbajtur që para një viti e gjysmë, por atëherë më shikonin si armik të gjithë, madje Kryeministri, në atë kohë, më anatemoi’, u shpreh dje Asqeriu.
Ai u bën thirrje dhe aktorëve të tjerë që për teatrin të bëjnë betejë vetëm artistët, duke e lënë larg politikën.
‘Devizën time unë e kam thënë: larg politikës. Aktorët shkojnë dhe nënshkruajnë në skenë me kryetarin e opozitës, unë nuk jam për këtë. Teatri është i detashmentit të aktorëve dhe artistëve dhe këtë e kam thënë që në fillim. Por vetëm studentët e përqafuan parullën time kur protestuan me devizën: Larg politika! Vetëm ata më kuptuan mua. Unë e kam thënë që ne jemi historikisht në opozitë me shtetin. Beteja jonë është me shtetin. Kujt i thua?! Ata duan të bëjnë karrierë politike dhe administrative, le të bëjnë, punë e tyre. Unë jam artist dhe qëndroj në këto pozicione’, u shpreh Asqeriu.