Shqipëria është një vend vogël me bukuri të mëdha e pasuri kulturore që pret të hapet në sy të botës. Kështu nis reportazhi i 2 gazetareve brazilianë Sérgio Chapelin dhe Glória Maria kushtuar Shqipërisë. Këtë të premte programi i përjavshëm brazilian Globo Repórter i ka kushtuar 40 minuta Shqipërisë duke prezantuar plazhet e mrekullueshëm, ushqimet tradicionale, vendet historike, arkitekturën si edhe pasuritë kulturore .
Gazetarja Gloria Maria ka qenë në Shqipëri dhe ka vizituar qytete si Vlora, Gjirokastra, Berati e Tirana. Ajo e prezanton Shqipërinë si një vend të izoluar por magjepsës, ku për 50 vitet e komunizmit gati asnjë nuk hynte dhe askush nuk dilte. Një thesar që ka qenë i fshehur por që pak nga pak po zbulohet për të gjithë. Një vend me histori të ruajtur në shekuj, që pret që ende ta zbulojnë. Qytete që vetëm tani presin që të hapen për botën që t’i njohë. Shqipëria është një vend i maleve dhe brigjeve shumë të bukura, praktikisht të panjohura. Udhëtimi I saj nis nga Vlora, ku të bije në sy bluja e thellë e detit dhe plazhet gati të boshatisur.
Gjatë vijës bregdetare në male shtrihen fshatra që ofrojnë panoramë të mrekullueshme. Hë Himarë gazetarja takon Helenën, një 80 vjeçare që e befasoi me mikpritjen dhe tolerance e saj. Megjithëse ishte hera e parë që ajo takonte një njeri me ngjyrë e përqafoi e puthi dhe I ofroi kafe në shtëpinë e saj. Më pas kamerat e programit Brazilian shkojnë në Ksamil plazhet e të cilit I quajnë më të bukurat e Shqipërisë. Afër Ksamilit është Liqeni i Butrintit ku gazetarja pa si vendasit kultivojnë midhjen.
Në krah të liqenit shtrihet Butrinti, i cili me rrënojat e tij tregon qytetërimet që kanë kaluar në Shqipëri në shekuj që nga grekët, romanët, bizantinet, venecianët dhe otomanet. Gjurmët e tyre janë janë kudo. Ishte hera e parë që Gloria Maria dëgjonte polifoninë e cila është pasuri kulturore e Shqipërisë. Një familje gjirokastrite veshur me kostume popullore shpalosën para ekipit të xhirimit brazilian këtë traditë shekullore shqiptare edhe më të vjetër se Butrinti
Magjepsëse është quajtur në këtë reportazh edhe arkitektura e Gjirokastrës, ku në qytetin e gurtë janë shumë të dukshme gjurmët e kulturës otomane. Udhëtimi me pas vijoi në Berat, i njohur ndryshe edhe si qyteti i një mbi një dritareve spikat për arkitekturën e tij te veçante po ashtu te stilit otoman. Shqipëria përshkruhet si një vend me shumë male ku ka fshatra dhe ndër më të bukurit është Llogaraja. Kamerat e programit Brazilian shkojnë pranë një familje që mbarështron dhitë ne mënyrë tradicionale pa asnjë teknologji.
Blegtorët tregojnë se jeta mes malesh është e veshtirë dhe nuk të lë të ëndërrosh megjithatë për ta nuk ka asgjë me te rëndësishme se liria, duke refuzuar të kujtojnë si ka qenë jeta e tyre në komunizëm. Në këtë natyrë malore mund të gjesh edhe gatime shumë të vjetra shqiptare të gatuara në një dhome të vogël dhe vetëm me dru zjarri. Ndër pjatat më speciale ishte mishi i kecit. Në udhëtimin në disa qytete në sy të grupit të xhirimit ra fakti në që në shumë qytete shqiptare kishte edhe xhami edhe kisha çka tregonte për tolerancën fetare.
Në reportazh thuhet se gjatë Komunizmit feja ka qenë e ndaluar në të gjithë Shqipërinë dhe vendi u shpall ateist. Por tashmë Shqipëria dallohet për një nga cilësitë kryesore që karakterizonte perandorinë Otomane, atë të tolerancës mes besimeve. Feja më e përhapur në vend është myslimanizmi, por një besim tjetër është duke u përhapur shumë: Islamizmi bektashian.
Gazetarja bëri një vizitë në kryegjyshatën botërore bektashie në Tiranë ku takoi Kryegjysh Edmondin, i cili I shpjegoi se bektashinjtë nuk ndryshojnë shumë nga myslimanët, kanë të njëjtin profet dhe kuran por ndjekin praktika të ndryshme duke bërë një lidhje të drejtpërdrejtë të njeriut me Allahun.
Vizita përmbyllëse e gazetarëve brazilianë ishte në kryeqytet. Në prezantimin që bën gazetarja thotë se dikur Tirana ka qene një vend I trishtuar pa dritë por pasi një piktor u bë kryebashkiak që sot është kryeministër e ktheu në një vend me ngjyra. Në një intervistë për programin Brazilian Rama tregon se bën art kur punon apo flet ne telefon dhe se studioja e tij është në fakt tavolina e punës. Në mbyllje të reportazhit Shqipëria përshkruhet si n je vend i lirë demokrat e tolerant që pret të rritet dhe të modernizohet.