Gjirokastër
Temperaturat e larta që kanë mbizotëruar ditëve të gushtit në vend, janë bërë burim i vatrave të zjarrit në zona të ndryshme përreth territorit.
Raportohet se sipërfaqe të mëdha me kullota janë përfshirë nga flakët në njësinë administrative të Lunxherisë, në fshatin Ashilengo të Gjirokastrës, ku forcat zjarrëfikëse kanë mundur të neutralizojnë zjarrin.
Po ashtu, në fshatin Dhoskat, ka marrë flakë rrapi në qendër të fshatit, duke rrezikuar banesat rreth e rrotul. Megjithatë, me ndërhyrjen e banorëve flakët janë neutralizuar.
Patos
Një zjarr masiv ka rënë në një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre në fshatin Siqece në bashkinë e Patosit.
Në vendin e ngjarjes ka shkuar zjarrfikësja, e cila po punon për shuarjen e flakëve.
Terreni është i vështirë dhe era e fortë e vështirëson ndërhyrjen.
Nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit.
Ersekë
Një zjarr i madh ka rënë në fshatin Boshanj të Ersekës. Raportohet se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej 15 hektarë me dushk dhe pisha.
Si pasojë e flakëve, po digjet me shpejtësi një pjesë e pyllit mbi fshatin Boshanj, ndërsa zjarri vijon të jetë ende aktiv.
Deri më tani raportohet për shtatë vatra zjarri, ndërsa është shumë e vështirë ndërhyrja e zjarrfikëseve për shuarjen e flakëve, për shkak të terrenit të thyer.
Policia ka nisur hetimet për zjarrvënie të qëllimshme sepse dyshohet se banorët e zonës kanë nisur të pastrojnë ose të hapin toka të reja në pyll.
Ndërkohë kujtojmë se kryeministri Edi Rama është duke kaluar pushimet në bregdet, pa u shqetësuar për fenomenin e zjarreve në vend.