Një 26-vjeçare në Elbasan ka rënë në prangat e policisë me akuzën e mashtrimit. Shtetesja A.D., banuese në Tiranë, dyshohet se ka përfituar 500.000 lekë në këmbim të ndihmës për legalizim të banesës së një shtetasi.
“Kjo shtetase në mënyrë të vazhdueshme për një periudhë 2 vjeçare me anë të mashtrimit i ka marrë rreth 500.000 lekë të reja, shtetasit B.P., duke i premtuar se me anë të njohjeve që kjo shtetase kishte në zyrat e legalizimit , do ndikonte që ky shtetas të përfitonte legalizimin e banesës”, sqaron policia.
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit kanë proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës“, shtetasen M. T, si dhe shtetasin F.B, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve“.
Shtetësja M.T, është punonjëse e zyrës së ndihmës ekonomike në Njësinë Administrative Tregan, Elbasan dhe ka plotësuar në sistem formularin e deklarimit të F.D, duke mos bërë verifikimet e duhura në terren dhe për pasojë shtetasi F. D. ka përfituar ndihmë ekonomike në mënyrë të padrejtë, pasi ky shtetas kishte deklaruar të dhëna të falsifikuara me qëllim përfitimin e ndihmës ekonomike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.