I fundmi i françeskanëve të mëdhaj

E Enjte, 29 August 2019 21:50

Virgjil Muçi

Dikur e solli rasti të ndodhesha në Aushvic dhe, atë ditë të acartë dimri, mendja shkonte e rrihte veç në një pikë: mbarë njerëzimi lypset t’i shkelë këmba qoftë edhe një herë të vetme në jetën e vet në këtë vend e të shohë me sytë e ballit kampin gjëmëmadh të shfarosjes për të kuptuar realisht atë çka ndodhi. Teksa lexoja dhe, veçmas, kur u ula të hidhja këto radhë rreth veprës monumentale – jo vetëm nga vëllimi, por kryeherazi nga përmbajtja – të At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue” thashë vetmevete pak a shumë të njëjtën gjë: leximi i librit të këtij frati të thjeshtë është një gur kilometrik në kalvarin e pafund të njohjes së të vërtetës së hidhur historike, ngaqë thjesht e shkoqur, ai njeri ka dalë gjallë nga ferri dantesk e ka mbërritur deri në ditët tona për të na përcjellë kumtin e të gjithë atyre që s’mundën të dilnin dot gjallë dhe i lanë amanet Rrno vetëm për me tregue. Ndaj më e pakta që mund të bëjmë ne, të gjallët e sotëm, është që ta lexojmë këtë libër që ngjan si i thadruar në gurë e jo i shkruar me penë e bojë mbi letër.


Për krejt harkun kohor që shkon e rrok, afro gjysmë shekulli, vepra e At Zef Pllumit vjen e shtrihet në disa rrafshe: së pari, ajo nuk është vetëm e thjesht një akt-akuzë kundër regjimit diktatorial në përgjithësi dhe gjenocidit fizik e shpirtëror të ushtruar kundër klerit katolik në veçanti, por ndërkohë edhe një vepër e mirëfilltë historike, tok me të gjithë elementët përbërës së saj, si politika, ekonomia, shoqëria, arti e kultura. Nga ana tjetër është edhe një dokument jashtëzakonisht i pasur me të dhëna gjithfarësh për periudhën e përshkruar në të, kësisoj, një burim i dorës së parë për historianët dhe studiuesit e fushave dhe lëmejve të ndryshëm të interesuar për kohën e komunizmit në Shqipëri; kësisoj një itinerar i domosdoshëm dhe i pashmangshëm që kurrkush nuk mund t’i bishtnojë dhe shtëmënget. Duke vijuar në të njëjtën hulli mendimi, ma do mendja nuk e teproj kur them se, ky libër lypset të jetë pjesë e bibliografisë së çdo vepre që rreket të hulumtojë dikaturat dhe krimet e kryera në Europën Jug-Lindore. Së dyti, duke u shtyrë cazë më tej nga ky këndvështrim, ky libër, falë penës së mjeshtrit, ka fatin të përftojë edhe një dimension të pazakontë, thënë me fjalë të tjera, ka fatin të lexohet me andjen e një sage romaneske, ku lypset thënë se, paradoksalisht, realiteti ia kalon edhe fantazisë më të harlisur të shkrimtarit. Episode të tëra dhe karaktere të jashtëzakonshëm, le të themi personazhesh, ravijëzohen brenda suazës së tij për të mbetur gjatë në kujtesë.

Kësodore teknika narrative e autorit lëviz natyrshëm dhe e pa sforcuar në regjistra të ndryshëm, çka e thyen monotoninë e të rrëfyerit dhe e bën të andshëm leximin edhe për lexuesin e rëndomtë në të gjithë hapësirën prej shtatëqind e ca faqesh që shkon e rrok libri. Autori lëviz me zhdërvjelltësi nga një teknikë rrëfimi në tjetrën dhe kjo gjë ndodh pa kërcitur e i rënë në sy lexuesit; prej toneve intime e tejet të sinqerta të memorialistikës, në përroin e rrëmbyer që të heq zharg pamëshirë të fikcionit, prej këtij të fundit në rrjedhën e qetë dhe të rryeshme, po gjithsesi të thellë që të shtyn drejt limanesh meditimi e refleksioni të eseistikës, për t’i lënë vendin më pas hapësirave pa an’e pafund të tekstit të mirëfilltë historik, ku ngjarjet riprodhohen me saktësi dhe kthjelltësi.

Më fort se një libër për të shkuarën e mynxyrshme, kjo vepër mbart në vetvete një kumt për të tashmen dhe një amanet për të ardhmen. Si e tillë zor se mund të thuhet se ajo vjen e lind nga frymëzimi i një çasti, as nga malli i shtampës dhe aq më pak nga ngasja për lavd e para; jo, kjo është një vepër e ngjizur prej vuajtjesh e dhimbjesh njerëzore, që autori i shtyrë nga një ndjenjë humanizmi gjenuin dëshiron t’ua lerë brezave si dëshmi edhe të së keqes, asaj që bashkëjeton me ne, që gjëllon brenda e jashtë nesh, ndaj dhe kurrkush, me dy fije mend në kokë, nuk mund të thojë e mëtojë se është zhdukur pa nam e pa nishan, njëherë e përgjithmonë.

Mbas ribotimit dhe pritjes së ngrohtë nga lexuesi dhe kritika të arqipelagut “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit, një tjetër vepër e françeskanit të madh, pinjolli i fundit i atyre burrave të shquar që me penën dhe gjakun e tyre shkruan pjesë të ndritura të historisë, kulturës e qytetërimit shqiptar, doli ne drite. E kam fjalën për veprën më të fundit të At Zef Pllumit “Histori kurrë e shkrueme”.

S’do mend, po qe se do ta shihnim vlerën e këtij libri në veç sa thamë më sipër, do të qe dritëshkurtësi, për të mos thënë një padrejtësi kundrejt autorit dhe veprës së tij shumërrafshëshe. Me shtysën dhe këmbënguljen e miqve, ai u vu të shkruajë kujtimet e jetës së tij, një sipërmarrje disi e vështirë, nisur nga fakti se i mungonin shënimet vetjake dhe dokumentet të konfiskuara nga komunistët, por që gjithsesi e kapërceu mrekullisht falë një kujtese të kthjellët, vullnetit dhe, pas të gjitha gjasave, të një edukate pune, sigurisht jo ballkanase. E vërteta është se At Zef Pllumi, njeri jashtëzakonisht i kulturuar dhe i ditur (veç po dhe aq modest) nuk mëton aspak të luajë rolin e historianit e kësisoj të niset e të shkruajë historinë e Shqipërisë, por ja që një trill i fatit, nga ata që s’lypin shpjegim, bën që jetëshkrimi i tij të përkojë me disa nga çastet kulmore të historisë së këtij vendi. Si bir denjë i “etërve të mëdhenj”, At Zef Pllumi s’ngurron të marrë përsipër barrën të rindërtojë trungun gjenealogjik të atyre burrave që ai i kujton me aq veneracion dhe përkushtim në një pjesë të këtij libri, a thua se është duke thadruar shtatoret e tyre, çka në një farë mënyre është përnjëmend ashtu; thënë me fjalë më të varfëra, ata kanë për të mbetur të tillë jo vetëm në kujtesën e lexuesve, por kryesisht në kujtesën kombëtare. Tekefundit, ky ishte shërbimi i fundit që mund t’i bënte sojit të vet, që komunistët e porsaardhur në fuqi u rropatën ta zhbëjnë me farë e me fis. Dhe ky nuk është ndonjë eufemizëm, por një realitet i hidhur që ai e provoi në lëkurën e vet. E vërteta është se, me atë gjest, At Zef Pllumi do të kryente një akt fisnik kundrejt gjithë sojit, për të treguar faqe botës që shqiptarët nuk janë ndonjë fis magjypësh.

At Zef Pllumi nuk na shfaqet vetëm si një historian dhe publicist skrupuloz, por edhe stilist i përkryer. Ai ka aftësinë të ngulisë me pak penelata portrete të paharrueshëm jo veç të figurave historike (mjafton të ndërmendim galerinë e sivëllezërve të tij), por edhe kuadro tipologjikë të një krahine të tërë, për të na dhënë portretin e shqiptarit, larg skemave bardhezi dhe idileve romantike. Ironik e sarkastik, shpesh kundërthënës në vëzhgimet e konsideratat e veta, por mbi të gjitha realist i pakorruptueshëm, Padreja, siç jemi mësuar më së shumti ta thërrasim, nuk i kursen thumbat kundrejt huqeve të bashkëkombasve, të cilat, shohim të harbojnë edhe sot e gjithë ditën.

Kur e mbaron së lexuari këtë libër, jo të zakontë, nuk ka sesi mos të të ngjitet e të të shoqërojë një copë herë, ndjesia se autori çoç ka ende për të thënë dhe thesi i shpirtit i tij ka ende shumë për të na kumtuar e për ta pasuruar më tej këtë sagë të pashoqe në thesarin e letrave shqipe që, pa dyshim, shkon ku e ku tej kujtimeve të një individi.

Duke i mbyllur këto radhë, më vjen mirë të rikonfirmoj atë mendim të mpiksur tashmë se, vepra e At Zef Pllumit ka karakter të theksuar poliedrik: pra, ajo nuk është vetëm e thjesht një akt-akuzë kundër diktaturës në përgjithësi dhe gjenocidit fizik e shpirtëror të ushtruar kundër klerit katolik në veçanti, por ndërkohë edhe një vepër e mirëfilltë shkencore disarrafshëshe, një udhëpërshkrim i pashmangshëm që s’ka se si t’i bishtnosh në udhën e gjatë drejt dijes dhe ndriçimit shpirtëror.

Login to post comments