Prindërit shqiptarë të acaruar me shpërndarjen e librave shkollorë: T’i sjellin si në kohën e Enverit

Tuesday, 03 September 2019 21:42

Shpërndarja e librave shkollorë ka shtuar edhe vuajtjet për prindërit që do të çojnë fëmijët në shkollë më 16 shtator. Në Fier janë pak pika të shpërndarjes së teksteve për klasat e gjashta deri në gjimnaz dhe prindërit ankohen për rradhë të gjata e sorollatje. Një tjetër shqetësim është ai për rritje çmimesh në disa libra deri në 100 lekë.

Plotësimi i pakos së plotë të librave për fëmijët në sistemin parauniversitar mbetet një angazhim sfidues për prindërit shqiptarë.

Në Fier, ku tekstet nga klasa e pestë deri në shkollë të mesme shpërndahen nga 6 distributorë, prindërit ankohen për radhë e sorollatje nga njëra tek tjetra për të siguruar të gjitha tekstet.

“Sorollatemi nga një pikë shitje te tjetra.”

“Ti sjellin si në kohë të Enverit, në shkollë. Atje ti marrin të gjithë fëmijët”.

Një paketë librash shkon nga 50 deri ne 70 mijë lekë të vjetra.

Prindërit ngrenë ankesat e tyre për një mbivendosje të çmimeve të librave deri në 100 lekë të reja më shumë, duke i bërë të pa përballueshme çmimet e tyre.

“Të marr librat e fëmijës nga 50 mijë lekë apo të ha bukë, apo të paguaj dritat, apo të paguaj ujin?”

“Plus çmimit ka vendosur çmim tjetër mbi të. Librat e vitit të tretë gjimnaz.”

Ndërsa prindërit tregojnë çmimet, drejtuesja e Zyrës Arsimore Vendore në Fier, Yllka Beci, thotë se nuk ka informacion.

Yllka Beci: Nuk kam asnjë lloj informacioni për rritjen e çmimeve të librave në institucionet ku kam juridiksionin.

Librat nga klasa e parë deri në të pestën janë në përdorim falas, ku shpërndarja vijon normalisht për 6430 nxënës në 54 shkollat e bashkisë së Fierit dhe në 8 vartëse./oranews

Login to post comments