Skandali, ish-polici Santiago Malko, pjesë e Inspektoriatit të Pyjeve, në punë edhe ditën e ekzekutimit

Premte, 06 September 2019 18:39

Kur kanë kaluar 10 ditë nga vrasja e ish-policit të ekzekutuar në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet, të tjera të dhëna ‘gozhdojnë’ institucionet shtetërore lidhur me përfshirjen e Santiago Malkos në sistem.

Dosja.al ka zbuluar se Santiago Malko, 26 vjeç pas tërheqjes nga Policia e Shtetit ishte punësuar në Inspektoriatin e Mjedisit dhe Pyjeve.

Pa asnjë kualifikim për fushën, Malko mbante postin e Inspektorit të Mjedisit, ndërkohë që skandali thellohet edhe më tej. Edhe ditën e vrasjes, Santiago Malko ishte në krye të detyrës.

I riu kishte shkuar si zakonisht në punë, ku siç bëjnë me dije burime për Dosja.al, kishte mbi një vit që ishte emëruar. Shpallja në kërkim për vrasjen e 4 tetorit 2018, nuk e kishte penguar atë që të vijonte punën.

Pas ekzekutimit në mjetin e tij, tip “BMW”, Santiago Malkos iu gjet një kartë, e cila përfaqësonte postin e tij brenda Inspektoriatit. Burime jozyrtare konfirmuan për Dosja.al, se dy ditë pas vrasjes, Inspektoriati i Mjedisit, ka bërë heqjen nga puna të Malkos, por jo për shkak se ai ishte vrarë. Shkarkimi i tij pas vrasjes, është bërë me motivacionin se Malko ishte shpallur në kërkim.

Ky skandal që përfshin Inspektoriatin e Mjedisit dhe Pyjeve, por edhe Policinë e Shtetit, e cila nuk ka bërë verifikimet për Malkon dhe pozicionin e tij të punës në administratë, përkon me largimin nga detyra të kryeinspektorit, Armando Lamaj.

I komanduar si kryeinspektor, Lamaj ka dhënë dorëheqjen një javë më parë, dhe dyshimet lidhen me emërimin e Santiago Malkos si inspektor.

Të njëjtat burime, thanë se Lamaj kishte miqësi me Malkon, dhe brenda institucionit ka patur gjithnjë dyshime se ka ndikuar në emërimin e tij.

Dosja.al tentoi disa herë të kontaktonte me Lamajn, por ai nuk ka pranuar të komentojë rastin.

Santiago Malko u tërhoq nga Policia e Shtetit në vitin 2016, pas një konflikti me vëllezërit Lashi. Sërish gjeti vend pune në administratë, duke nxjerrë jashtë loje sistemin e dëshmive të penalitetit dhe vërtetimet që gjykata dhe prokuroria lëshojnë për punësimin në shtet.

Ftojmë Inspektoriatin e Mjedisit dhe Pyjeve, Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë, si institucione që paguhen nga taksat tona, të sqarojnë opinonin publik, lidhur me punësimin e një të shpalluri në kërkim, me disa çështje të hapura gjyqësore, i akuzuar për gjobëvenie dhe përfshirje në disa ngjarje të rënda.

Gjurmët e Santiago Malkos në administratë, nuk mund të fshihen me reagime bajate, që herë i lëshon prokuroria, e më pas sipas midesë, edhe Policia e Shtetit.

Login to post comments