Prokurori Olsian Çela i shiti apartamentin nënës 17 mijë euro me shtrenjtë sesa e bleu

Hënë, 23 September 2019 16:45

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka ngritur fillimisht dyshime se një kontratë shitjeje pasurie të paluajtshme ndërmjet kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe nënës së tij, për shumën 66 mijë euro, mund të përmbante elementë fiktiviteti.

Megjithatë, Komisioni i Vetingut, i përbërë nga kryesues Lulzim Hamitaj, relator Olsi Komici dhe anëtare Brunilda Bekteshi, me vendimin e datës 23 Korrik 2019, konfirmoi në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, duke i hapur atij rrugën për vijimin e garës për postin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë.

Olsian Çela ka rezultuar pozitiv në përfundim të verifikimit të tre kritereve-pasurisë, integritetit personal dhe aftësive profesionale.

Gjithësesi, në vendimin e zbardhur nga trupa e Vetingut në datën 4 Shtator 2019, konstatohet se KPK ka kërkuar sqarime për ligjshmërinë e veprimeve kontraktuale mbi një njësi tregtare, me vlerë 78.500 euro, në Tiranë.

Njësia tregtare
Prokurori Olsian Çela ka deklaruar një njësi shërbimi, me sipërfaqe 77.8 m2, në Tiranë, të blerë në 8 Prill 2015, me vlerë 78.500 euro.

Për këtë pasuri, Çela ka deklaruar si burim një shumë prej 66 mijë euro, të përfituar nga kalimi i të drejtave të pronësisë së një apartamenti në emër të tij tek e ëma, S.Ç., me kontratën e datës 6 Prill 2015. Po ashtu, si burim kanë shërbyer edhe dy shuma parash, një në bankë në vlerën 640 mijë lekë dhe një në gjendje cash në vlerën 1.150.000 lekë, të krijuara nga të ardhurat e tij.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kryer verifikime të thelluara mbi burimin e krijimit të kësaj pasurie, me fokus kryesor apartamentin, të cilin ia shiti nënës së tij, me vlerë 66 mijë euro.

Nga të dhënat, rezultoi se subjekti Olsian Çela e ka blerë këtë apartament në 30 Mars 2011, me vlerë 6.800.000 lekë. Prokurori Çela ka deklaruar si burim për atë apartament shumën 2.600.000 lekë kursime të tijat, 1.800.000 lekë kursime të nënës së tij, S.Ç.

Ndërsa pjesën tjetër, 2.400.000 lekë hua nga të afërmit e tij, konkretisht nga tezja dhe djali i tezës, shtetas që jetojnë jashtë Shqipërisë. Sipas deklarimeve të subjektit, këto hua i ka marrë pa kontratë, pa interes dhe pa afat, duke qenë se marrëdhëniet financiare u kryen mes familjarëve të afërt.

Gjithashtu, për mënyrën e mbërritjes së parave të familjarëve të tij në Shqipëri, subjekti Çela deklaroi në KPK se ata i kanë sjellë me vete, kur kanë ardhur për vizita në vendin tonë.

Transaksionet
Rreth 4 vjet më pas, në 6 Prill 2015, subjekti Çela ia shet këtë apartament nënës së tij, me vlerë 66 mijë euro, çmim rreth 17.500 euro më shtrenjtë se sa e kishte blerë.

Pikërisht, këto veprime janë konsideruar të dyshimta nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili ka ngritur disa pikëpyetje për subjektit Olsian Çela.

KPK ka kërkuar nga prokurori;
– arsyen e shitjes së apartamentit nënës së tij kur subjekti jeton bashkë me të dhe kur ajo (e ëma) e kishte financuar në kohën e kalimit të të drejtave të këtij apartamenti në shumën 1,800,000 lekë;
– arsyen e shitjes së këtij apartamenti nënës së tij me çmim më të lartë se ai që e ka blerë (afërsisht shitur 17,500 euro më shtrenjtë); dhe
– burimin e krijimit të përdorur nga nëna e tij për blerjen e kësaj pasurie, duke specifikuar sa ka qenë shuma e përdorur nga llogaritë bankare

Argumentat
Fillimisht, prokurori Çela ka shpjeguar se nëna e tij, S.Ç. ka pasur burime të ligjshme financiare për shumën 66 mijë euro. Ai ka deklaruar se nëna e tij ka qenë bashkëpronare, me babain e ndjerë, në një apartament të blerë në vitin 1995, me vlerë 2 milion lekë.

Ky apartament, i regjistruar në pronësi të nënës, është shitur në Shtator 2014, në vlerën 57.000 euro. Ndërsa rreth 9 mijë euro të tjera, nëna e subjektit i ka pasur në llogari bankare dhe në gjendje cash, të krijuara nga kursimet e punësimit të saj ndër vite.

KPK kreu verifikimet mbi burimin e shumës 66 mijë euro në emër të nënës së subjektit Çela dhe konstatoi se burimi i kësaj shume ishte i ligjshëm, bazuar në dokumentacionin e depozituar nga prokurori.

Ndërkohë që lidhur me transaksionet në një kohë të shkurtër me nënën e tij, prokurori Olsian Çela ka dhënë shpjegime më të detajuara, duke treguar edhe për marrëdhëniet e ngushta në familjen e tyre të vogël.

“..Doja të kryeja një investim relativisht me interes për të arritur sigurimin e fondeve për blerjen e një apartamenti”, është shprehur Çela në përgjigje të pyetësorit të Komisionit të Vetingut.

“Duke qenë se në vitin 2015 m’u paraqit një mundësi investimi në një njësi tregtare, i propozova fillimisht nënës që ta blinim bashkë, duke qenë se ajo dispononte 57,000 eurot e përfituara nga shitja e apartamentit (në vitin 2014, shën.red), të depozituara në disa banka dhe një sasi paraje në cash…”, vijon sqarimin e tij për KPK-në prokurori Çela.

Sipas tij, veprimi juridik u krye brenda familjes dhe nuk u morën në konsideratë faktorë të tillë si çmimi apo sa fitonte apo humbte secili, “pasi raportet tona familjare janë të ndërtuara mbi bazën e solidaritetit dhe kontributit të përbashkët. Ne jetojmë bashkë dhe unë kam qenë kontribuesi kryesor në mirëqenien e familjes përgjatë këtyre viteve”.

Për këto arsye, “duke qenë se të dy kontribuojmë në familje, nuk marrim në konsideratë faktorë të tillë si përfitimi individual, duke qenë se në perceptimin tonë nga veprimet juridike, përfitimet janë të dyanshme dhe këto sjellje janë karakteristika tipike të solidaritetit familjar”, vijon prokurori Çela.

Sipas vendimit të zbardhur të Komisionit të Vetingut, prokurori Çela mësohet të jetë shprehur gjithashtu se “Investimi im në blerjen e njësisë tregtare u ndihmua nga nëna ime përmes financimit të shitjes së apartamentit, ndërkohë që mund të ishte realizuar edhe përmes dhurimit të shumës prej 66,000 euro. Ne vlerësuam si më të përshtatshme këtë formë të kalimit të pasurisë, pasi nëna siguronte një shtëpi të sajën edhe për të ardhmen kur unë mund të shkëputem nga ajo dhe të jetoj diku tjetër.”

Citimet e mësipërme, të vetmet në vendimin e zbardhur të Komisionit të Vetingut që i atribuohen në mënyrë integrale prokurorit Olsian Çela për këtë pasuri të paluajtshme, nuk japin përgjigje të saktë dhe të qartë mbi transaksionin, me një çmim më të lartë ndërmjet prokurorit dhe nënës së tij.

Gjithësesi, KPK rezulton të ketë kryer verifikime më të thelluara mbi këtë situatë dhe, në përfundim, ka konkluduar se “nga kontrolli i pasurisë ndaj subjektit të rivlerësimit nuk u evidentuan pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht. Ai ka kryer deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin dhe ka pasur burime financiare të ligjshme e të mjaftueshme”.

Gjithashtu, trupa e Vetingut ka konstatuar se prokurori Olsian Çela kalon me sukses edhe testin e integritetit personal dhe aftësive profesionale.

Prokurori Olsian Çela është një ndër 4 kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm me mandat të plotë. Ai është garon për këtë pozicion së bashku me Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku; me prokuroren e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj, si edhe me avokatin Lulzim Alushaj.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...