Sikur Edi Rama të imitonte zgjedhjet e Kosovës, aq bukur sa imiton Dash Shehin

Hënë, 07 October 2019 18:57
Nga Enkel Demi 
 
 

Kryetari i qeverisë, Edi Rama bën prova para pasqyrës të imitojë sa Ismail Qemalin, sa Dash’ Shehin. Nuk e njihnim më parë talentin e tij për sojin e imitatorit, por qysh pas suksesit të bojatisur me Edi Palokën, tani askush nuk ia vë në dyshim këtë aftësi të rrallë.

Tani, pas zgjedhjeve të Kosovës, ku zgjedhjet u zhvilluan dhe u numëruan brenda 24 orëve, të gjithë i kërkojnë të imitojë këto zgjedhje. Të jetë besnik i këtij imitimi, ta bëjë sak si ata, mos t’i lërë gjë mangut dhe kemi për t’ia ditur për nder sa të jetë jeta.

Kjo, sepse dardanët rrëfyen që vjedhja e zgjedhjeve, terrori mbi to, “tërmetet”, “çunat problematikë” e më the të thashë, nuk kanë të bëjnë me racën e shqiptarit a fisin e tij. Shqiptarët dinë të bëjnë zgjedhje, të kuvendojnë, të ndryshojnë, ndaj nuk ka nevojë për shumë komente. Ramush Haradinaj la ndenjësen e kryeministrit dhe nuk u kap pas tij me mish e me shpirt, jo më të lëshonte rrënjë. Ani, se në zgjedhje nuk mori atë që priste, ndoshta atë që meritonte, tha që bëra mirë se rezultati i zgjedhjeve rrëfeu nevojën e një shumice të re.

 

Partia Demokratike e Kosovës njohu rolin e saj në opozitë, kurse e hëna është një ditë e zakonshme pune në shtetin e dytë të shqiptarëve, të cilët padrejtësisht jetojnë në varfëri, madje as të drejtën e lëvizjes së lirë nuk e gëzojnë.

Në anën tjetër e Shqiptarisë duket sikur është e pamundur të bësh një palë zgjedhje, jo më të ndërmarrësh ndryshimin thelbësor. Qeveria në koalicion me banditët vodhi zgjedhjet, edhe kur ishte e vetme në to. Grabiti, megjithëse nuk kishte garë. Ky është ves, por jo ves i shqiptarëve si u mësuan të na i shisnin deri më tash, pasi ata, shqiptarët e Dardanisë nuk kanë as më shumë e as më pak se këta të trungut amë.

Të vetmen gjë që ata nuk e kanë është Rilindja, kjo sëmundje ngjitëse, e cila për fat u fut në karantinë dhe nuk e molepsi Kosovën. Sado që virusi “baton” u mundua të përhapet, nuk e sëmuri gjysmën tonë të shëndetshme. Prandaj, Shqiptaria sot i gëzohet gjysmës me jetë që mund të shërojë gjysmën tjetër të kapur nga tumori i Rilindjes, i cili me këtë që ngjau të djelën është e sigurtë se është beninj, pasi shqiptarët nuk janë malinj.

Ndaj, me shpresë te Zoti që ta yshtë edhe më prijësin në tabiatin e tij të imituesit, në mënyrë që nga rakija e Dashit ta ngrejë bërrylin e të shkojë te zgjedhjet e Ramushit.

Login to post comments