Bëhen publike taksat për të vizituar Venecian/Në rast se nuk paguani do gjobiteni me 450 euro

E Enjte, 10 October 2019 14:55

Autoritetet e qytetit të Venecias, kanë njoftuar që duke filluar nga vera e ardhshme, do të vendosen taksa për të vizituar këtë vend kaq të mbipopulluar nga turistët. Taksa, të cilën Këshilli i Venecias po e quan “një kontribut për hyrje” në një nga vendet e Trashëgimisë Botërore, do të fillojë në 1 korrik. Qëllimi i kësaj takse, kaq shumë të diskutuar, ka në fokus kontributin për sa i përket mirëmbajtjes së qytetit, nga miliona turistë që zbresin në ”La Serenissima” çdo vit.

“Qëllimi është të përmirësojmë cilësinë e jetës së banorëve,” tha Luigi Brugnaro, kryetari i bashkisë së Venecias, në fillim të këtij viti. “Ne nuk kemi për qëllim të mbledhim para nëpërmjet këtyre taksave’’– ka theksuar ai.

Sipas autoriteteve, kur ky vendim të hyjë në fuqi, turistët do të paguajnë 3 € gjatë sezonit të ulët, 8 € gjatë sezonit të lartë dhe 10 € gjatë periudhave “kritike”, siç janë fundjavat verore, kur numri i vizitorëve arrin nivelet më të larta.

”Taksa nuk do të zbatohet për venecianët ose njerëzit që vizitojnë qytetin për të studiuar ose punuar” tha Michele Zuin, një zyrtar i qytetit.

Të ardhurat nga tarifa do të përdoren për të kompensuar tarifat e larta që paguajnë venecianët për shërbime të tilla si mbledhja e mbeturinave, e cila është më e shtrenjtë për shkak të kanaleve të qytetit. Taksa do të zbatohet për turistët që mbërrijnë me anije lundrimi, taksi uji, aeroplan ose tren. Ata do të jenë në gjendje të paguajnë tarifën në internet me një kartë krediti ose nga makinat “të instaluara në pikat strategjike” përreth Venecias. Këshilli nuk tha se çfarë ndëshkimesh do të zbatohen për turistët që nuk paguajnë tarifën, megjithëse në shkurt autoritetet sugjeruan se ata do të goditen me gjobë deri në 450 €.

Deri në vitin 2022, përveç pagimit të taksës, turistët do të duhet të bëjnë një prenotim në internet për të hyrë në Venecia.

Modifikuar më E Enjte, 10 October 2019 14:58
Login to post comments