Euro vijon të forcohet në tregun vendas, kap nivelin më të lartë që nga muaji maj

E Enjte, 10 October 2019 15:39

Edhe gjatë ditës së sotme, monedha e përbashkët europiane ka fituar pikë ndaj Lekut vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro është këmbyer me 123.18 lekë, rreth 0.28 pikë më shumë se një ditë më parë. Ky është niveli më i lartë që nga 15 maji i 2019-s.

Brenda muajit tetor euro ka rikuperuar me një pikë ndaj lekut. Sipas aktorëve kryesorë të kursit të këmbimit aktualisht në treg po këmbehen volume të ulëta, pasi tetori dhe nëntori, njihen si muaj “të vdekur” për tregtinë.

Sipas tyre, kjo është një periudhë normale rikuperimi, e pritshme, pas nënçmimit sezonal, gjatë muajve të verës, ku prurjet nga turistët dhe emigrantët bën që euro të prekë nivele të reja të ulëta.

Megjithatë aktorët e tregut thonë se nuk përjashtohet as blerjet e valutës nga ndonjë kompani e madhe, e cila është reflektuar direkt në treg, për shkak të volumeve të ulëta.

Ndryshe nga euro, dollari amerikan ka humbur pikë sot ndaj lekut vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar këmbehej gjatë ditës së sotme me 111.82 lekë, apo rreth 0.12 pikë më pak se një ditë më parë, duke reflektuar kështu rikuperimin që ka pasur euro në tregjet ndërkombëtare. Në tregjet ndërkombëtare, monedha euro preku nivelin më të ulët të 12 muajve të fundit në raport me dollarin amerikan, gjë e cila u reflektua edhe në tregun vendas me dollarin që kapi nivelet më të larta që prej fundit të 2017-s.

 

 

 

 

 

 

 

Login to post comments