Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri çeli këto ditë një ekspozitë fotografike me pamje nga veprimtaria e amerikanëve që jetuan dhe punuan në Shqipëri pas luftës së parë botërore.
Ekspozita është pjesë e veprimtarive “Kthim në Punë”, që organizon çdo vit rrjeti i bizneseve të Dhomës Amerikane pas pushimeve vjetore.
Drejtuesi i Dhomës Amerikane, Enio Jaço, tha se bashkëpunimi i biznesmenëve të këtij rrjeti ka dhënë rezultate përherë e më të mira për shkak të komunikimit, dhe bazuar në një program zhvillimi të anëtarëve.
“Ky është shpirti i Dhomës Amerikane, është lidhja dhe marrëdhëniet që janë vendosur midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ne kujdesemi për këto marrëdhënie dhe i shtojmë ato përditë me bizneset tona, ndërsa kujtojmë edhe vlerësojmë edhe fazat më të hershme, që sjellin disa fotografi të veçanta 100 vjet më parë. Në këto foto të ekspozitës janë pasqyruar jeta e amerikanëve që kanë ardhur këtu një shekull më parë, jeta dhe puna e tyre” - tha zoti Jaço.
Fotot pasqyrojnë veprimtarinë humanitare të grupeve të shtetasve amerikanë, kur hapën një jetimore në Tiranë në vitet 1918-1920.
Ato janë vetëm një pjesë e vogël e veprimtarive që zhvilluan në Shqipëri organizatat humanitare në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaular.
Dhoma amerikane e tregtisë në Shqipëri është një organizatë që ka anëtarë 215 biznese; ato nxitin zhvillimin e biznesve private, të cilat punojnë për të shtuar tregtinë mes Shqipërisë dhe SHBA, të shtojnë investimet amerimanë dhe ndërkombëtare në Shqipëri, si dhe të përmirësojnë imazhin e bizneseve shqiptare në SHBA dhe në tregjet ndërkombëtare.