Pas arrestimit të vëllezërve Tesi dhe Satilno Basho, forca të shumta policie kanë zbarkuar në qytetin e Vlorës.
Paraprakisht, nuk jepet infomacion i detajuar nëse prania e forcave policore ka të bëjë me transportimin e të arrestuarve, apo nëse pritet zhvillimi i një tjetër aksioni në Vlorë.
Ndërkohë, burime jozyrtare nga Policia kanë konfirmuar për gazetën “Panorma” se në orët në vijim mund të ketë arrestime të rreth 10 personave me rrezikshmeri apo të shpallur në kërkim.
I ndaluari Tesi Basho, 33 vjeç, është një person me rrezikshmëri shumë të lartë, i dënuar në Itali me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasja”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja dhe transportimi pa leje i armëve të zjarrit”. Basho ka vrarë me armë zjarri dy shtetase që ushtronin veprimtarinë e prostitucionit në qytetin e Torinos, njëra prej të cilave shfrytëzohej nga vetë ai.
Në vitin 2016, Basho u arratis nga burgu i Rebibbos në Itali. Kapja e tij në flagrancë ditën e sotme u bë e mundur gjatë operacionit të koduar “Selenica”. Bashkë me të u ndalua edhe vëllai i tij, Satilno Basho, në ngarkim të të cilit kishte një urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi dyshohej për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Të dy vëllezërit dyshohet se në janar të vitit 2017, nëpërmjet dhunës, kanë kërcënuar një shtetas për dhënie pasurie rreth 100 000 euro. Vëllezërit dyshohen gjithashtu edhe për kryerje të veprave të tjera penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri Kallashnikov me 6 krehëra me fishekë, 1 armë zjarri pistoletë me dy krehëra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, 10 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 5 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, 900 euro, si dhe dokumente të ndryshme.