Po bënin gati kokainën për shitije, ua ‘blen’ policia, Dy në pranga

E Enjte, 17 October 2019 10:03

Policia e Elbasanit ka goditur një veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Në kuadër të operacionit të koduar "Përpunimi", në pranga u vunë dy persona, të cilët në ambientet e një lokali u kapën duke përpunuar kokainë, gati për shitje.

Në pranga u vunë shtetasit J. H., 38 vjeç dhe K. Z., 24 vjeç, të dy banues në Karakullak, Bradashesh, Elbasan.

"Në lokalin e marrë me qera nga shtetasi K. Z., në rrugën dytësore Elbasan-Bradashesh janë kapur në flagrancë ndërsa po përpunonin në bashkëpunim me njëri-tjetrin lëndë narkotike të llojit kokainë, gati për shitje në treg.   Në kuadër të  këtij operacioni policor u sekuestrua në cilësinë e provës materiale sasia prej 30 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe 3 peshore elektronike, të cilat shërbenin për peshimin dhe ndarjen e dozave të kokainës", sqaron policia.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve“, e kryer në bashkëpunim.

Login to post comments