Gjykata e Tiranës ka pushuar procedimin penal ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili i u kallëzua nga Taulant Balla i cili pretendonte kallëzim të rremë për çështjen Xhisiela.
Po kështu Gjykata ka pushuar çështjen edhe ndaj gazetarit Basir Çollaku dhe oficerit të Policisë Emiljano Nuhu.
Pushimi i çështjes është kërkuar nga Prokuroria, ndërkohë që vendimi është marrë nga Gjykata me datë 18 shtator dhe tani ka marrë formë të prerë.
Taulant Balla konsideroi "grup të strukturuar" kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gazetarin Basir Çollaku dhe oficerin e Policisë, Emiljano Nuhu.
Balla tha se ka edhe persona të tjerë të këtij grupi, duke i bërë thirrje Prokurorisë që të marrë në pyetje Lulzim Bashën.
Në padinë e tij, Balla kërkon hetimin e Lulzim Bashës për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kallëzimit të rremë për një krim të pakryer si dhe për fyerje.
Padia e deputetit socialist shkoi edhe për ish-oficerin Emiljano Nuhu për të njëjtat akuza ndërsa për kallëzim të rremë Balla akuzon edhe gazetarin Basir Çollaku.
Në ngjarjen e ndodhur një vit më parë, ish-oficeri i policisë, Emiljano Nuhu, pretendon se është kërcënuar me armë në komisariat nga djali i deputetit socialist, i cili ka dhunuar një shtetase, ngjarje ku sipas tij ka qenë i pranishëm edhe Taulant Balla.
© SYRI.net